Arbëri

Nga një trupë me 176 kadetë më 1999 deri mbi 9 mijë pjesëtarë më 2025 – 26 vjet Polici e Kosovës

Janë bërë 26 vjet qëkur Policia e Kosovës është themeluar. Policë që ia kanë kushtuar jetën këtij profesioni e shohin si të madh zhvillimin e kësaj trupe përgjatë viteve. E në këtë ditë, është vlerësuar lartë puna që secili polic e bën në mbrojtje të shtetit

Që nga dita e parë kur është themeluar Policia e Kosovës, Reshat Maliqi i është përkushtuar kësaj force me përvojën që e ka pasur në këtë profesion qysh vite më parë.

Në ditën kur Policia ka shënuar 26-vjetorin e themelimit, të shtunën, ish-drejtori i saj, që prej tre vjetësh ka dalë në pension, e kualifikon si jo të lehtë dhe me sfida punën që e bën një polic.

“Është punë e rëndë, derisa krimineli planifikon kryerjen e një vepre penale për një periudhë me të gjatë, reagimi i Policisë është qindrat e sekondat, sepse duhet me reagu shumë shpejt dhe nuk kanë kohë ata me mendu a duhet me i hy aksionit a mos me hy në aksion. Mandej janë të pajisur me mjete, të cilat mund të shkaktojnë edhe vdekjen e qytetarëve me armë, pra, janë qindrat e sekondave që duhet me mendu a me nxjerrë armën e me shkrep”, ka thënë Maliqi.

Ai thotë se qysh nga themelimi e deri më tani, Policia ka shënuar zhvillim të madh porse ka shprehur vërejtjen se shteti nuk ua jep policëve kujdesin e merituar.

“Policinë ende e kemi pa sigurim shëndetësor, policinë ende e kemi pa sigurim social, policinë ende e kemi me një pagë minimale që nuk i plotëson kushtet as deri me datën 10, edhe ata kanë familje, kanë fëmijë. Duhet të mendohet edhe për paga më të mira, edhe për pajisje më të mira, edhe për uniforma me të mira sepse policët janë pasqyra e vendit”, ka thënë Maliqi.

Më 6 shtator 1999, Policia e Kosovës është formuar si një trupë me 176 kadetë. E tani, 26 vjet pas, i numëron mbi nëntë mijë pjesëtarë.

Fillimisht pati vepruar në kuadër të UNMIK-ut, teksa më 15 qershor të 2002-tës ka nisur faza e transferimit gradual të kompetencave, detyrave, përgjegjësive dhe funksioneve policore te asokohe Shërbimi Policor i Kosovës.

“Më 17 shkurt 2008, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u krijuan rrethanat e reja për krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, e në këtë kontekst u krijua edhe Policia e Republikës së Kosovës, e cila kalon nën juridiksionin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në një përgjigje të Policisë.

Në 26 vjetët e themelimit, Policia ka shënuar 24 raste të vdekjes së pjesëtarëve të saj gjatë kryerjes së detyrës.

Vetëm katër muaj më parë, në detyrë është vrarë rreshteri, Muhamet Lika. Ai u ekzekutua natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jetonte, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna. Në fundshtatorin e 2023-s, në sulmin terrorist në Banjskë u vra edhe rreshteri, Afrim Bunjaku. Për ta dhe të gjithë policët e tjerë të vrarë në detyrë, ditë më parë u vendos gurthemeli i një pllakate përkujtimore në lagjen “Dardania” në Prishtinë.