Policia e Kosovë sot mbush 26 vjet nga themelimi i saj, raporton KosovaPress.
Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, kishte hapur Shkollën e Policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999.
Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës sot nga ora 19:00 do të mbahet ceremonia qendrore e shënimit të 26 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës është një nga arritjet më të mëdha të shtetit tonë, institucion ky që konsiderohet model edhe për vendet e rajonit. Në këto 26 vjet, policët tanë kanë dëshmuar përkushtim dhe guxim në shërbim të qytetarëve dhe rendit publik. Andaj, është detyrë e shtetit që t’u krijojë kushte dinjitoze, në përputhje me misionin e rëndë e fisnik që mbajnë. Mirënjohje për gjithë pjesëtarët e Policisë për shërbimin ndaj Atdheut. Me respekt e nder të veçantë i kujtojmë ata që ranë në krye të detyrës”, ka shkruar kreu i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj.