LAJMET E MBRËMJES

26 vjet Polici e Kosovës

Me anë të aktiviteteve të shumta të mbajtura në Prishtinë, Policia e Kosovës ka shënuar të premten 26-vjetorin e themelimit. Në qendër të organizimeve kanë qenë fëmijët, të cilët i kanë ndjekur demonstrimet e organizuara nga zyrtarët policorë. E përfaqësues të Policisë dhe të Qeverisë në detyrë e kanë kualifikuar Policinë si institucionin më të besueshëm në Kosovë

Me një varg organizimesh dhe aktivitetesh në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, Policia e Kosovës e ka shënuar të premten 26-vjetorin e themelimit.

Në qendër të këtij organizimi kanë qenë fëmijët, të cilët kanë pasur mundësinë që t’i shohin nga afër pjesëtarët e njësive speciale të Policisë tek i demonstrojnë veprimet e tyre që i kryejnë përditë.

E këtë mundësi, nxënësja nga Prishtina, Amelia Halili, e ka kualifikuar si shembull që e shpërfaqë rëndësinë e punës së secilit zyrtar policor.

“Unë e falënderoj shumë Policinë e Kosovës. Na kanë treguar shumë gjëra, për shembull, kur kemi nevojë për ndihmën e Policisë dhe të ambulancës. Kemi bërë shumë aktivitete, na kanë dhënë shumë dhurata dhe ka qenë shumë bukur sot”, ka thënë ajo.

Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe nxënësja, Hare Pllana.

“Unë sot po kënaqem këtu duke e shikuar Policinë. Sot kemi bërë aktivitete të ndryshme në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, kemi shikuar valle, Policinë e të tjera”, ka theksuar ajo

Me qëllim të afrimit të qytetarëve me Policinë, stacionet policore kanë organizuar edhe portën e hapur.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve është zhvilluar edhe një ndeshje volejbolli mes ekipit të Policisë së Kosovës dhe të asaj të Shqipërisë.

Duke i përkujtuar 26 policët e rënë në detyrë gjatë mbrojtjes së sigurisë dhe të integritetit të shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka theksuar se Policia mbetet institucioni më i besuar në Kosovë.

Ai e ka pasur edhe një porosi, të cilën ua ka përcjellë fëmijëve.

“Në këto 26 vjet, ne i kemi dhënë 26 heronj në luftën kundër krimit dhe për integritetin territorial të Republikës. Është një institucion i besueshëm i vendit tonë, policët tanë i kanë shërbyer vendit për gjatë 26 viteve. Ne vazhdojmë të punojmë që këtë përkushtim ta çojmë edhe më tutje, të vazhdojmë dhe të avancohemi edhe më tutje në aspektin profesional. Porosia për fëmijët: vazhdoni të mësoni, dyert e Policisë do të jenë të hapura”, ka thënë ai

Përvjetorin e Policisë e ka uruar të premten ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka theksuar se Policia duhet që të jetë gjithnjë në shërbim të qytetarëve, veçanërisht fëmijëve.

“Ku ka më mirë se ditëlindjen ta festojmë me fëmijë, ditëlindjen e institucionit që është për nga mosha i pjekur, i cili këtë pjekuri duhet ta vë në dispozicion të qytetarëve, posaçërisht të fëmijëve tanë. Rruga jonë do të kalojë nëpër sfida, do t’ju hedhë në brigje të ndryshme, disa do të bëheni policë, mësues, mjekë dhe në fusha të ndryshme”, ka shkruar ai.

Ceremonia qendrore për 26-vjetorin e Policisë do të mbahet të shtunën, nën organizimin e Drejtorisë së Përgjithshme.