Ilir Kurteshi, drejtor i Onkologjisë, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo Klinikë ka funksionuar shumë mirë gjatë periudhës së pandemisë.
Ai thotë se në fillim ishin skeptikë, porse me disiplinën e treguar nga pacientët dhe punën e mjekëve ia kanë dalë shumë mirë gjatë kësaj periudhe.
“Klinika e Onkologjisë ka funksionuar gjatë gjithë kohës, kemi pasur punë më të reduktuar në fillim dhe kemi qenë skeptik se do të na shkojë puna kaq mirë, por ia kemi dalë mbanë”, ka thënë Kurteshi.
Ai ka thënë se nuk është shënuar asnjë viktimë nga kjo klinikë për shkak të Covid-19, dhe vetëm dy persona ishin infektuar por që e kanë përballuar mirë.
“Deri më tani asnjë pacient me kancer nuk ka vdekur nga Covid-19. Kemi pasur dy pacientë që janë infektuar në shtëpi. Njëri ka qenë më sëmundje malinje dhe kancer të prostatës, në të dy rastet kanë qenë meshkuj, por e kanë përballuar mirë. Kjo na ka dhënë shpresë, dhe iu kemi dalë mbanë me të gjithë pacientët dhe kanë marrë trajtimin e duhur dhe ata i kanë zbatuar rregullat që i kemi sugjeruar”, është shprehur ai.
Kurteshi thotë se e kanë organizuar mirë Klinikën, dhe kanë vepruar sipas këshillave të OBSH-së.
“Disa pacientë kanë pasur frikë, por kemi bërë një organizim të mirë brenda Klinikës. Ka raste edhe kur operacionet janë ndaluar dhe në ato raste kemi nisur një terapi me të cilën ia ndalim hovin sëmundjes. Ka pas pacientë që kanë pasur frikë, por i kemi ndarë nëpër salla, si dhe i kemi ndaluar vizitat”, ka thënë Kurteshi.
Tutje ai ka shtuar se as nga stafi nuk është infektuar asnjë.
“Të gjithëve u është marrë anemneza. I kemi depistuar dhe selektuar pacientët. Dhe deri më tani nuk e kemi asnjë rast që ka vdekur nga Covid-19 dhe asnjëri prej stafit nuk është infektuar. Nëntë deri në dhjetë javë kemi kryer mbi 40 mijë shërbime, kurse mbi 4500 doza të ilaçeve i kemi dhënë pacientëve tanë dhe mbi 2500 seanca të rrezatimit. Pra, fluksi i pacientëve kohëve të fundit ka qenë si më përpara”, ka thënë Kurteshi. “Pacientët kanë qenë të kënaqur deri më tash. Ato raste kur është dashur t’i zëvendësojmë në mënyrë të trajtimit dhe deri tash puna në Klinikë është shumë e mirë”.