Ishte klinika më e mbushur ku në secilin shtrat luftohej për jetë.
Këto janë pamjet e klinikës infektive në vitin 2020.
Në prag të vitit 2023 asnjë pacient nuk është me Covid -19 dhe stafi i është kthyer punës së zakonshme.
Infermierja Miradije Imeri kishe parë nga afër në njësinë e intensivës qytetarët që humbën jetën e edhe ata që mbijetuan nga koronavirusi.
“Pandemia në fillim ka qenë jashtëzakonisht stresuese ende pa ardhur lajmi për konfirmimin e rastit të parë të prekur me Covid-19. Sepse ishte një virus i panjohur globalisht dhe nuk e dinim se çfarë do të ndodhë me ata pacientë, si do t’i trajtojmë, çfarë do të ndodhë me ne. Fjalët vinin se nëse del dikush pozitiv me Covid-19 i gjithë stafi shëndetësor duhet të izoloheshin dhe ashtu ndodhi”, thotë infermierja Imeri.
Koronavirusi ishte i rrezikshëm dhe të punoje me këta pacientë rrezikoje çdo ditë jetën. Për këtë arsye infermierja u zhvendos nga shtëpia që të paktën familjarët të mos infektoheshin.
“Mundem me i përmend 2 raste që më kanë lenë më shumë mbresa. Ka qenë një shtatzënë në muajin e 5-të të shtatzënisë ku i ka vdekur fëmija, 3 orë më vonë ka vdekur edhe ajo. Jemi munduar me shpëtuar dhe nuk kemi mundur, për të gjithë ka qenë një rast shumë i rëndë. E kujtoj edhe një person i infektuar me koronavirus së bashku me familje i cili nuk ka mbijetuar. Babai 80-vjeçar e ka kaluar, ndërsa i biri 50-vjeçar jo. Këto dy raste nuk i harroj, por as të tjerat sepse ka pasur edhe shumë raste të tjera”, thotë Imeri. “Më kujtohet në fillet e para as në familje nuk kemi shkuar për 2 muaj. Unë bashkë me kolege kemi jetuar në banesa private me qira që të mos i rrezikojmë familjarët nga infektimi me koronavirusin”.
Me gjithë kujdesin e shtuar, ajo ka bindjen se i infektoi edhe familjarët e saj. Thotë se burri i saj e kaloi me vështirësi sëmundjen .
“Pas mbrojtjes nga infektimet, vitin e dytë infektohet bashkëshorti pastaj krejt familja unë dhe 5 fëmijët e mi. Bashkëshorti ka qenë ai që e ka kaluar koronavirusin më së keqi, ka qenë i hospitalizuar me oksigjeno terapi këtu në infektivë. Ë intensivë ka qëndruar 10 ditë dhe fatmirësisht e ka kaluar Covid-19. Kjo ka qenë sfida më e madhe në jetë për mua”, thotë Imeri.
Brengë tjetër për të është edhe mungesa e stafit në këtë klinikë. Thotë se në shërbim të pacientëve janë vetëm dy infermiere, të cilat punojnë 12 orë në ditë.
“Si sfidë në fillim e kemi pasur edhe mungesën stafit. Nuk ka qenë e mundur të kryhen shërbimet vetëm me 2 infermier që kanë punuar nga 12 ore. Por me ndihmën e kryeinfermierëve të klinikes edhe qendrës filluan të na dalin në ndihmë infermierët nga klinikat e tjera. As kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe Ministria pasi e hapi konkursin për parimin e infermiereve të rinj edhe ata kane dhen një kontribut të tyrin. Ardhja e tyre erdhi në një gjendje më të qetë nga pandemia por i falënderoj për kontributin e tyre”, thotë Imeri.
E drejtori i Klinikes Infektive, Arben Vishaj, vitin 2022 e cilëson si më të lehtë për stafin dhe pacientët.
“Në fillim të vitit 2022 situata epidemiologjike ka qenë mjaftë e renduar. Kemi pasur të shtruar me të infektuar me Covid-19, por fatmirësisht në gjysmën e vitit kemi pasur kërkesa më pak të të hospitalizuarve dhe aktualisht kemi vetëm një pacient të infektuar me Covid-19 i cili është duke u trajtuar në klinikë”, thotë Vishaj.
Vishaj thotë se për çdo ndryshim të situatës, Klinika Infektive ka kapacitete që të jetë në shërbimin e qytetarëve.
“Jo vetëm Kosova, por edhe rajoni për momentin ka një situatë të qetë epidemiologjike, ne vendin tonë ka ndikuar vaksinimi i qytetarëve. Situatën epidemiologjike e kemi në kontroll, është e mundur të paraqitet ndonjë formë sporadike infeksioni, por shpërthim të pandemisë uroj që të mos kemi”, thotë Vishaj.
Ai uron që pandemia të ketë fundin gjatë vitit 2023.
“Çdo e keqe e ka edhe fundin e vet, urojmë që ky fund të vijë sa më shpejt për pandeminë Covid-19. OBSH-ja gjithmonë tregon statistika për vendet e tjera me situatën nga koronavirusi. Jemi në përcjellje të gjendjes nga koronavirusi dhe urojmë që të kemi një situatë të qetë. Edhe nëse kemi shpërthim të pandemisë sikurse edhe në vitet paraprake, Klinika Infektive do të ofrojë shërbime të duhura shëndetësore konform kapaciteteve që i ka klinika”, thotë Vishaj.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga fillimi i pandemisë janë prekur me COVID-19, 272 mijë e 258 qytetarë. Nga ky numër, mbi 3 mijë të infektuar me koronavirus kanë vdekur.
Një tjetër armë për luftimin e kësaj sëmundjeje ishte vaksinimi, dhe sipas të dhënave zyrtare, mbi gjysma e popullatës në vend i ka marrë dy doza të vaksinës, derisa janë testuar gati 2 milionë raste.