Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nënshkruhet një marrëveshje për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Fondacioni “Terre des hommes” në Kosovë, nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për grupet e cenueshme në nevojë, me theks të veçantë për fëmijët në rrezik.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i MPMS-së, Skender Reçica dhe Jezerca Tigani, udhëheqëse e zyrës për Kosovë.

Reçica tha se kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë, ngaqë synon avancimin e sistemit sa i përket mbrojtjes së fëmijëve, sidomos nga format e abuzimit dhe punëve të rënda.

“Si MPMS po punojmë që të kemi sa më pak raste të abuzimit me fëmijë dhe gjithashtu të rasteve kur fëmijët përballen me punë të rënda. Është e nevojshme që së bashku të japin kontributin që dukuritë e tilla të eliminohen në tërësi”, tha ministri.

“Kurse, drejtoresha e Fondacionit, Jezerca Tigani, theksoi se është bashkërendimi i veprimeve, siç është ky nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar sot, që konkretizon përpjekjet për sistem të duhur për mbrojte të fëmijëve”, thuhet në njoftim të MPMS-së.