Arbëri

Në Kosovë, pak pritje për atë që mund të prodhojë Samiti i Procesit të Berlinit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të mërkurën mbahet në Londër. Në Kosovë nuk janë shprehur pritshmëri për rezultate të mëdha, dhe është bërë thirrje që të ushtrohet presion ndaj vendeve që nuk i zbatojnë marrëveshjet e deritashme

Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen të mërkurën në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, që këtë vit mbahet në Londër.

Në samitin e 12-të me radhë që nga 2014-a pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në Kosovë, nuk janë shprehur pritshmëri për rezultate të mëdha.

Arbëresha Loxha, hulumtuese e lartë në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, thotë se në këtë takim kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të adresojë mosimplementimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

“Kosova marrë parasysh situatën, problemet me mosnjohjen nga të gjitha shtetet, por edhe problemet të cilat i sjellin në tavolinë Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina në veçanti e kanë dëmtuar shumë Kosovën nga përfitimi i pothuajse shumicës së marrëveshjeve që janë bërë në këtë proces. Nikoqirët duhet të ndërlidhin, konsideroj, çdo nënshkrim të marrëveshjes së re, përfitim nga një marrëveshje e re, nga një çkado që del prej procesit me kushtëzim të implementimit të marrëveshjeve paraprake”, ka thënë Loxha.

Në lidhje me synimet e Kosovës nga samiti i sivjetmë, KOHA ka pyetur edhe në Qeveri, por që nga e hëna nuk ka marrë përgjigje.

Loxha thotë se problem mbetet moszbatimi i marrëveshjes nga Bosnjë-Hercegovina për lëvizje me letërnjoftim të kosovarëve, si dhe ajo për njohjen e diplomave të kosovarëve nga Serbia.

“Nuk është që është duke u bërë mjaftueshëm presion te pala serbe në këtë rast për t’i implementuar dhe qëndruar prapa marrëveshjeve që janë nënshkruar”, ka thënë ajo.
Për dallim prej Bosnjë-Hercegovinës, Kosova ka nisur me zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë nga janari i këtij viti. 

Në tetor të vitit të kaluar, gjatë pjesëmarrjes në këtë samit Kosova ka nënshkruar me vendet e rajonit marrëveshjen për qasje në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor e katër deklarata që lidhen me bashkëpunimin rajonal.