Institucionet e Kosovës ua kanë ndaluar hyrjen në Kosovë, në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, të shtunën dy serbëve për shkak të aktivitetit të tyre kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Bëhet fjalë për Dimitrije Markoviq dhe Nenad Jeremiq, që sipas Qeverisë, njihen për elemente proruse, e për propagandë të vazhdueshme kundër Kosovës. Ata përdorin mbulesë të aktiviteteve humanitare. Në Serbi raportuan të shtunën se “humanitarëve nga Bajina-Bashta dhe Beogradi iu ndalua hyrja në Kosovë pa ju dhënë shpjegim”.
“Në muajin korrik të këtij viti, Bashkimi Evropian kishte tërhequr vëmendjen për rritjen e rrezikut nga grupet e ekstremit të djathtë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Njëri nga të ndaluarit, në vazhdimësi ka qenë shoqërues dhe anëtar i organizatës së ekstremit të djathtë ‘Fronti i Solidaritetit Evropian për Kosovën – ESFK’ gjatë vizitave të tyre në Kosovë, në përbërje të shtetasve çekë, gjerman, etj. Kjo organizatë promovon ndjenjat anti-perëndimore, ndërsa mbështetë lidhjet e ngushta me Rusinë. ESFK u klasifikua në mesin e lëvizjeve ekstremiste të krahut të djathtë në ‘Raportin mbi ekstremizmin në territorin e Republikës Çeke’, të publikuar në vitin 2013 nga Ministria e Brendshme e Republikës Çeke”, ka thënë Qeveria në njoftimin për ndalimin e hyrjes Markoviqit dhe Jeremiqit.
Po ashtu bëhet e ditur se në vitin 2019, tetë anëtarë të organizatës së tyre ishin ndaluar në Kosovë, për planifikimin e ngritjes së një droni mbi stadiumin “Fadil Vokrri” me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
“‘Dogodine u Pri Z renu’ (vitin e ardhshëm në Prizren), është njëra ndër fotografitë e shumta me prapavijë të Presidentit rus Vladimir Putin, e publikuar në rrjetin social të Markoviq. Për më tepër, Markoviq njihet edhe për raporte të afërta me zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, respektivisht me ish kreun e kësaj zyre, Andrei Lisovoi”, ka thënë tutje Qeveria.

-
Ndalohen dy shtetas serbë në veri pasi kaluan ilegalisht kufirin e Kosovës
-
Mbyllet rruga në Jarinjë, serbët në protestë
-
Bllokohen pjesërisht rrugët në dy pika kufitare mes Serbisë dhe Kosovës
-
Mërgimtarët panë autokolona të ushtrisë serbe afër Kosovës
-
Kosova ia ndalon hyrjen ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë