Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Infektive po trajtohen 55 pacientë me koronavirus, një në gjendje të rëndë

Foto: Alban Bujari / KOHA

Në Klinikën Infektive në Prishtinë janë të shtrirë 55 persona të prekur me COVID-19, 12 prej tyre janë me oksigjenoterapi, kurse një tjetër është në gjendje të rënduar, ka bërë të ditur të martën infektologu Valbon Krasniqi, përmes konferencës së rregullt për shtyp.

“Na vjen keq që konferencën e sotme po e nisim me lajmin e keq për humbjen e jetës së një shtatzëne nga Gjakova, e cila nuk arrit t’i mbijetojë infeksionit me COVID. Aktualisht në klinikë i kemi 55 pacientë të shtrirë të prekur me COVID-19, 12 prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe kemi një pacient në repartin intensive, gjendja e të cilit vazhdon të mbetet shumë e rëndë dhe është në gjendje kritike. Gjendja e të tjerëve është e mirë dhe e qëndrueshme”, tha ai.

Krasniqi nuk ka dhënë shumë detaje për vdekjen e gruas shtatzënë, e cila më 15 prill ishte shtrirë në Klinikën Infektive.

“Nuk kam çka t’i shtoj më shumë komunikatës zyrtare përveç që e ndjera ka ardhur në Klinikë më 15 prill dhe që prej momentit që ka ardhur në Klinikë ka qenë në gjendje kritike”, shtoi ai. Foshnja po ashtu ka vdekur.

Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 598 raste me koronavirus, kurse 16 kanë vdekur.