Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Han të Elezit, ambulanca në fshatin Gorancë mbetet e mbyllur tash e dy vjet

Për shkak të mungesës së stafit mjekësor, ambulanca në fshatin Gorancë të Komunës së Hanit të Elezit është mbyllur për më shumë se dy vjet. Banorët kërkojnë që ajo të hapet, për shkak se detyrohen të shkojnë t’i marrin shërbimet mjekësore në qytet. Ndërsa nga komuna thonë se po bëjnë përpjekje që së paku dy herë në javë ta dërgojnë atje një ekip mjekësor.

Kjo ambulancë në fshatin Gorancë të Hanit të Elezit është ndërtuar për shërbime shëndetësore të banorëve të këtij fshati, por për më shumë se dy vjet qëndron e mbyllur.

Krejt kjo për shkak të mungesës së mjekëve.

Banorët e këtij fshati kanë treguar se për këtë arsye detyrohen që shërbimet shëndetësore t’i kërkojnë në qytet.

Ibrahim Berisha, Banor

“Ka nevojë shumë fshati për ta, se ka banorë që duhet me shku në Han të Elezit për një injeksion, kemi nevojë shumë për ta, na ka premtuar kryetari që pas prillit ka me u shtu stafi”, ka thënë ai..

“So t’u punu, ka mbetur qashtu, shko teposhtë, njerëzit sëmurë, plakat, ka edhe të rinj që sëmuren, jo veç plaka, po kot. Çka me bë”, ka thënë një tjetër banor.

Edhe Një mjek dhe një infermiere në shërbim të fshatit Gorancë SOT Një mjek dhe një infermiere në shërbim të fshatit Gorancë

Lidhur me këtë, nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, thonë se po bëjnë përpjekje që sërish ta kthejnë atë në shërbim.

“Kemi edhe AMK në fshatin Goranc që nuk është funksionale shkaku i mungesës së stafit, mirëpo thashë do ta bëjmë të pamundurën që ta funksionalizojmë edhe atë AMF atje, sepse është me numër të madh të banorëve që kanë nevojë për së paku të mund ta funksionalizojmë për dy herë në javë që të shkojë mjeku bashkë me infermieren”, ka thënë Kimete Kuka, Drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas drejtoreshës, ende nuk u është ofruar buxheti për Komunën e Hanit të Elezit, gjë që po ua pamundëson shtimin e stafit mjekësor jo vetëm për AMF-në, por edhe për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.