Mungesa e stafit shëndetësor ka ndikuar në mbylljen e katër ambulancave të mjekësisë familjare në disa fshatra të Komunës së Ferizajt. Sipas zyrtarëve të Komunës, me dhjetëra kërkesa të tyre për shtimin e stafit nuk kanë marrë përgjigje nga niveli qendror. E për pasojë, banorët detyrohen të udhëtojnë drejt qytetit për t’i marrë shërbimet bazike shëndetësore
Mungesa e përgjigjes së Ministrisë së Financave në kërkesat e Komunës së Ferizajt për shtim të stafit mjekësor, me procedurë të rregullt, ka ndikuar në mbylljen e katër ambulancave të mjekësisë familjare në këtë komunë.
Ambulancat janë mbyllur në fshatrat Talinoc, Mirash, Gaçkë e Varosh, pasi punonjësve të angazhuar u kanë skaduar kontratat e lidhura nëpërmjet operatorëve ekonomikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Kemajl Emini, tha se me gjithë kërkesat e vazhdueshme drejtuar Ministrisë së Financave për miratimin e shtimit të stafit, deri më tani nuk është marrë asnjë përgjigje.
“Duke pasur parasysh se Ferizaj ka rreth 110 mijë banorë dhe vetëm 318 staf shëndetësor, ndërkohë që Mitrovica me 65 mijë banorë ka rreth 300 staf, e Gjakova me 85 mijë banorë ka mbi 400 staf shëndetësor, kërkesat tona janë të arsyeshme. Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme drejtuar ministrive përkatëse përmes emailit dhe kontakteve direkte, ku kemi argumentuar në 9 faqe se Ferizajt i nevojiten së paku edhe 100 punonjës mjekë, infermierë, stomatologë, teknikë stomatologjikë, laborantë, fizioterapeutë, shoferë, mirëmbajtës, nuk kemi marrë përgjigje”, tha Emini.
E drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, theksoi se mungesa e stafit të rregullt ka ndikuar drejtpërsëdrejti në ofrimin e shërbimeve për qytetarë, meqë është mbyllur edhe kujdestaria e natës në QMF 2.
“Nevoja për shtim të stafit është shumë e madhe. Edhe në vitet e kaluara kemi bërë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë për rritjen e numrit të punonjësve, por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Gjatë vitit të kaluar, përmes kontratës me ‘Kosovamed’, kemi angazhuar një pjesë të stafit për ofrimin e shërbimeve, por kontrata e tyre ka përfunduar”, tha Ymeri.
Nevojën për mjekë të përgjithshëm të angazhuar në baza ditore e theksoi edhe Osman Ahmeti, banor i fshatit Talinoc, ku jetojnë mbi 600 familje.
“Nevojë ka dhe kemi shumë nevojë. Motrat medicinale kanë filluar punën, ndërsa mjeku vjen dy herë në javë. Por do të ishte shumë më mirë që mjeku të ishte këtu çdo ditë, sepse për çdo problem shëndetësor duhet të drejtohemi këtu. Shpresojmë që kjo çështje të rregullohet sa më shpejt”, tha Ahmeti.
Si pasojë e mbylljes së ambulancës në Talinoc, banorë të këtij fshati detyrohen që për shërbime të udhëtojnë në Ferizaj. E ata të Gaçkës e Varoshit i drejtohen fshatit Greme apo QMF-së numër 4 në Ferizaj.
KOHA pyeti Ministrinë e Financave përse nuk u është përgjigjur kërkesave të Komunës për shtim stafi, porse gjatë ditës nuk mori përgjigje.
Edhe më parë, KOHA ka raportuar për nevojën e shtimit të stafit shëndetësor në Ferizaj dhe Gjilan. Si pasojë e mosplotësimit të kërkesave nga Ministria e Financave, këto dy komuna lidhën kontrata me kompani private për sigurimin e shërbimeve shëndetësore. Edhe asokohe, Ministria e Financave nuk iu pati përgjigjur pyetjeve të KOHËS për çështjen.