Sektori i shëndetësisë në Ferizaj po përballet me mungesë të stafit profesional. Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë thotë se numri i vogël i stomatologëve nuk i mbulon nevojat e qytetarëve. Ai ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave për bllokimin e një marrëveshjeje për shtim të stafit. Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje lidhur më këtë çështje
Aktualisht, në këtë komunë janë të angazhuar vetëm 15 stomatologë, numër ky që sipas drejtorit të Shëndetësisë në këtë komunë, nuk i mbulon nevojat e qytetarëve.
“Në qytetin tonë e kemi të organizuar shërbimin 24-orësh për stomatologji, dhe realisht na nevojiten së paku katër stomatologë vetëm për të mbuluar këtë shërbim. Duhet pasur parasysh që edhe katër qendrat kanë nga dy stomatologë, që do të thotë se vetëm tre stomatologë mbesin për të mbuluar shërbimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare”, ka thënë Kemajl Emini, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt.
Emini ka akuzuar Ministrinë e Financave për bllokimin e një marrëveshjeje gati të arritur me Ministrinë e Shëndetësisë për shtimin e stafit me 62 punonjës.
Sipas tij, situata e rënduar në sektorin e Shëndetësisë në Ferizaj, është pasojë direkte e mosveprimit nga niveli qendror.
“E kemi dokumentuar në 9 faqe dhe u kemi dërguar ministrive përkatëse si dhe të gjithë deputeteve që vijnë nga partitë politike nga Ferizaj të them të drejtën nuk kemi gjetur pajtueshmëri . Në vitin e kaluar kemi pasur një bisedim me ministrin dhe në një farë mënyre e kemi arritur një marrëveshje për shtimin e stafit për 62 vetë mirëpo kjo realisht na është anuluar nga ministri i Ferizajt, ministri i Financave”, është shprehur Emini.
E shefja e grupit të asamblistëve të LVV-së në Ferizaj, Fatbardha Zogaj, i ka dalë në mbrojtje ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Ajo ka kritikuar pushtetin lokal duke thënë se vazhdimisht ia adreson fajin, veçanërisht ministrit Hekuran Murati vetëm se, sipas saj, edhe ai vjen nga Ferizaj.
“Nuk munden me u bë ndryshime veç pse është ferizajli, sepse ajo është e përcaktuar me një formulë për të gjitha komunat, e cila nuk është vendosë prej nesh, por e kemi gjetur ashtu”, ka thënë Zogaj.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave dhe atë të Shëndetësisë lidhur me këtë çështje, mirëpo tash e një javë është në pritje të përgjigjeve.
Drejtuesit e Komunës së Ferizajt kanë thënë se kanë kërkuar nga niveli qendror që t’u lejohet shtimi i 100 punonjësve në sektorin shëndetësor.