Prishtinë, 23 shkurt –Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim dhe Këshillin për Stabilizim Asociim ka theksuar sot se ministria që drejton është duke punuar intensivisht në realizimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Agjendës Evropiane të Reformave.
“Të gjitha prioritetet tona në fushën e legjislacionit janë të reflektuara në Planin e Punës dhe Programin Legjislativ të Qeverisë së Kosovës për 2017. Gjithsesi, Ministria është duke punuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane, e quajtur ERA”, theksoi ministrja Hoxha.
Ministria e Drejtësisë është duke punuar në aspektet përfundimtare organizative për fillimin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Ky proces është duke u bërë në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare. Në rend të parë, theksoi ajo, është rishikimi i legjislacionit penal dhe atij kundër korrupsionit si pjesë aktiviteteve për vitin 2017.
“Krahas përpjekjeve për plotësim ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale si dhe ligjeve antikorrupsion, kemi themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për “Rishikimin dhe miratimin e legjislacionit që e bën të detyrueshëm pezullimin dhe/ose largimin e zyrtarëve publik të akuzuar dhe dënuar për korrupsion”, theksoi ministrja Hoxha, për këtë, theksoi ajo, janë angazhuar dy ekspertë gjermanë për të ofruar ekspertizë në hartimin e këtij koncept dokumenti me të gjitha orientimet e nevojshme për këtë fushë komplekse.
Lidhur me ligjet, ministrja vuri në pah se është hartuar projektligji për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, i cili pas miratimit nga Qeveria, është në Kuvend. Projektligji është hartuar në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ekspertët e Këshillit të Evropës dhe Zyra e BE-së në Kosovë.
Sa i përket Projektligjit për Prokurorin e Shtetit , përkatësisht rishikimi i dispozitave që i referohen çështjes së emërimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale. Në bashkëpunim me kryeprokurorin e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial, Ministria do ta adresojë brenda 6 mujorit të parë të vitit 2017.
“Kemi themeluar grupin punues për të hartuar koncept dokumentin dhe pastaj edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Prokurorin e Shtetit, ku do të reflektohet ndryshimi i kërkuar që do të mundësoj rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale, me qellim që të fuqizohet Prokuroria Speciale në rrugën e saj për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit dhe krimit të nivelit të lartë”, theksoi Ministrja.
Edhe
Shqetësues niveli i realizimit të MSA-së nga Kosova
Po ashtu, theksoi ministrja, kemi themeluar grupin punues dhe grupet tematike për hartimin e Kodit Civil të Kosovës. Në këtë drejtim kemi mbështetjen e BE-së përmes një projekti që do të zgjasë nga shkurti 2017 deri në shkurt 2020.
“Ministria e Drejtësisë është në përfundim e sipër të procesit të vlerësimit të të gjitha projekteve dhe programeve të donatorëve të jashtëm në sektorin e drejtësisë me qëllim të rritjes efekteve të këtyre projekteve të shumta që janë duke u implementuar në sektorin e drejtësisë”, theksoi ministrja Hoxha, ky vlerësim i projekteve dhe programeve është duke u bërë sipas standardeve të OECD-së dhe po bëhet për herë të parë nga institucionet e Kosovës.
Ministrja Hoxha shprehu përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të përmbushur misionin e saj në krijimin e politikave dhe legjislacionit adekuat për sistemin e drejtësisë në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.