Një takim i Ukë Bytyqit, ish-kryetarit të Suharekës dhe njërit prej themeluesve të LDK-së, i vrarë rreth 20 vjet më parë, me ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, përmendet në aneksin e aktakuzës së Speciales, kundër 4 anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë detaje nga ky takim, por e ka të redaktuar burimin ose dëshminë mbi të cilën i është referuar rastit. Ky institucion pretendon se Thaçi e Veseli i kishin bërë presion Bytyqit për t’u deklaruar se ai po largohej nga LDK-ja.
“Më 24 qershor të vitit 1998, Hashim THAÇI dhe Kadri VESELI organizuan një takim në Breshancë me Ukë BYTYQIN, për ta xhiruar një deklaratë të inskenuar, në të cilën BYTYQI pritej ta paralajmëronte largimin e tij nga LDK-ja dhe të deklaronte se ai po i bashkohej UÇK-së. Para se të përmbyllej xhirimi, gjendja po bëhej gjithnjë e më e tensionuar, teksa THAÇI insistonte që porosia e BYTYQIT të ishte më e prerë drejt UÇK-së”, thuhet në dokument.
Në këtë aneks përmendet një tjetër figurë e rëndësishme e LDK-së, që u vra pas luftës.
Pa cituar burimin e informatës, ZPS-ja e ka përmendur një komunikim të Thaçit e Selimit me Ramush Haradinaj në lidhje me Tahir Zemajn.
Në këtë aneks flitet edhe për takimet e Thaçit e Selimit me ish-kryeministrin e qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi, dhe ato që Specialja i ka quajtur tendenca për ndikim mbi të.
Në këtë aneks të publikuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar përmendet një vizitë e delegacionit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në zonën e Llapit. Aty, siç pretendohet në aneks, ish-prijësit e UÇK-së kishin folur për një luftë që po e dëmtonte punën e UÇK-së e që po bëhej nga anëtarë të LDK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë arrestuar në nëntor nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ata akuzohen për disa vepra penale që lidhen me krime lufte në periudhën 1998-1999.