Në çerdhen “Yllkat” në Prishtinë janë vendosur dy letra ku edukatoreve iu bëhet thirrje të ndërpritet greva.
“Nga sot përgjegjësia është tek ju edukatore. Dita e parë. Mësimdhënësit janë të lirë të vendosin nëse duan të mbajnë mësimin”, thuhet në njërin mesazh.
Iniciativën për vendosjen e mesazheve e ka marrë Këshilli i Prindërve të çerdheve “Yllkat” dhe “Dielli”.
"Fëmijët - drita e syve tanë. Edukatorja - prindi i dytë për fëmijët", thuhet në mesazhin tjetër të ngjitur në derë.
Greva e përgjithshme në arsim ka nisur më 25 gusht. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës (SBASHK), ka deklaruar vazhdimisht se greva nuk do të ndërpritet pa ua plotësuar kërkesat.