Kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pafuqia vendimmarrëse ekzekutive, nuk e ka penguar që të premtojë 1 milion euro për lojtarët e kombëtares së Kosovës, në rast të kualifikimit në Euro 2020.
Ai së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kanë takuar lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll, në grumbullimin e parë të tyre para ndeshjeve të radhës për kualifikim në Euro 2020.
Siç merr vesh Koha.net, në këto 1 milion euro, llogariten 500 mijë euro të cilat tashmë i janë ndarë përfaqësueses. Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, kur Kosova kishte mbyllur e para Grupin 3 në kategorinë D të Ligës së Kombeve, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 500 mijë euro për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Atëkohë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka kërkuar që këto mjete të miratohen nga Qeveria për ta ndihmuar përfaqësuesen dhe këto mjete do t’i ndajë Ministria e Kulturës.
“Kërkoj nga ju që mjetet 500 mijë euro t’i ndahen përfaqësueses së Kosovës, që t’i ketë të gjitha kushtet për t’u përgatitur”, tha Gashi.
Pra mjetet në këtë rast ndahen nga Qeveria e Kosovës, që për kryeministër ka Ramush Haradinajn. Në këtë rast ministri Gashi mund të jetë ai që bën propozimin për ndarjen edhe të 500 mijë eurove të tjera për përfaqësuesen, dhe është kabineti qeverisës në të cilin bëjnë pjesë PDK-ja, AAK-ja, Nisma, AKR-ja dhe Lista Serbe (e cila ka kohë që injoron Qeverinë) e cila e miraton ose jo vendimin.
Por e gjithë kjo nuk e ka penguar të parin e PAN-it, Kadri Veseli, që të premtojë ndarjen edhe të gjysmës tjetër.
Në njoftimin për media thuhet se “gjatë vizitës në stadiumin Fadil Vokrri, Veseli tha se do të vazhdojnë me projekte të shumta në mbështetje të kombëtares duke rikonfirmuar preminë e premtuar prej 1 milionë eurosh për kualifikim si dhe ndërtimin e stadiumit kombëtar i cili siç tha Veseli do të fillojë së ndërtuari këtë verë dhe do të jetë ndër më të mirët në Evropë”.
Sidoqoftë, gjithnjë sipas njoftimit, me këtë rast, Veseli veshi edhe fanelën e re të kombëtares së Kosovës, ndërsa tha se ndihet krenarë me lojën dhe zemrën e madhe që tregojnë në fushë lojtarët e Kosovës.
“Urime kombëtares sonë kjo fanellë e re. Jam krenar që më kanë dhënë këtë mundësi. Këta djem janë krenaria jonë, këta po e bëjnë historinë, po tregojnë atë që jemi ne duke luajtur një lojë të pastër. E natyrshme që tani rritet konkurrenca por rritet edhe përkushtimi i këtyre djemve, presim edhe kualifikimin në kampionin evropian. Ne si politikë do ti kryejmë detyrat tona. Që në fillim kam premtuar një milionë euro vetëm gjysma është dhënë. Ndërsa në korrik fillojmë edhe me ndërtimin e stadiumit kombëtar i cili do të jetë më i bukuri në rajon dhe ndër më të mirët në Evropë. E përgëzoj ministrin e Sportit për përkushtimin dhe gatishmërinë për tu qëndruar gjithmonë afër sportistëve”, tha Veseli.