Asnjë dokument nuk kanë mundur ta marrin qytetarët e Podujevës që prej orës 10:00 kur është ndërprerë energjia elektrike në këtë komunë. Zyrtarët komunalë thonë se KEDS-i nuk i ka njoftuar me kohë për këtë ndërprerje 8-orëshe të energjisë dhe se gjeneratori nuk ka mundur ta përballojë kapacitetin shpenzuese të objektit të administratës komunale.
"Siç edhe mund të merret me mend, duke e pasur parasysh faktin se që nga ora 10:00 Komuna e Podujevës ka mbetur pa energji elektrike, ndërprerje për të cilën nuk jemi njoftuar nga KEDS-i, nga kjo orë nuk janë ofruar shërbime administrative. Sa i përket gjeneratorit, komuna ka gjeneratorin e saj, por për shkak se sistemi i ngrohjes ka qenë i lidhur me të, ky gjenerator nuk mund të përballojë këtë kapacitet shpenzues. Prandaj edhe nuk ka qenë e mundshme të përdoret", thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.
Energjia elektrike ka shkaktuar telashe edhe nëpër shkollat e kësaj komune, ku ndërrimi i pasdites është detyruar të shkurtojë orarin e mësimit.
"Në shkolla, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike jemi detyruar të marrim masa duke e shkurtuar orarin e mësimit. Por, besojmë se nga nesër gjithçka do t'i rikthehet normalitetit", thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim.
Ndërkohë, zëdhënësi i KEDS-it i ka thënë KOHËS se ndërprerja është e planifikuar.
"Ne e kemi dërguar në media paraprakisht dhe i kemi informuar edhe përmes webfaqes tonë www.keds-energy.com", ka thënë ai.
Energjia elektrike në këtë komunë është ndërprerë prej orës 10:00, për shkak të disa punimeve në rrejt. Nga kjo orë ka rrymë ka mbetur pjesa më e madhe e qytetit dhe dhjetëra fshatra të Podujevës. Sipas një njoftimi të KEDS-it, energjia elektrike do të rikthehet në orën 18:00.