Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook nga KEDS-i bëhet e ditur se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit, për arsye sigurie.
Uji, ka njoftuar KEDS-i, ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik.
“Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm. KEDS njofton se gjendja është jo stabile edhe në Komunat e Malishevës dhe Rahovecit, për shkak të vërshimeve, ku për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës. Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushte të sigurta”, thuhet në njoftim.