Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se nënstacioni 220/10 kV në Drenas është rikthyer në funksion, pas një angazhimi intensiv të ekipeve në terren.
Sipas KEDS-it, nënstacioni kishte qëndruar i shkyçur për rreth katër orë si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Aktualisht, vetëm katër trafo-stacione 10(20)/0.4 kV vazhdojnë të jenë jashtë funksionit në disa lokalitete, për shkak të akumulimit të madh të ujit dhe rreziqeve për sigurinë, që kanë pamundësuar ndërhyrjen e menjëhershme.
Ekipet e KEDS-it janë ende në terren dhe po punojnë me intensitet të lartë në të gjitha komunat e prekura nga vërshimet, me qëllim rikthimin e plotë të furnizimit me energji elektrike.
KEDS ka shprehur falënderime të veçanta për Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave në kuadër të MPB-së, kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin, si dhe për Policinë dhe zjarrfikësit e komunës, për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe.
Po ashtu, KEDS u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat e sigurisë në zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo problem përmes numrave të emergjencës ose linjave zyrtare të kompanisë.