Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nderohet figura e Flora Brovinës

Flora Brovina

Foto: Driton Paçarada

Në nderim të figurës së aktivistes për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetes Flora Brovina e cila vdiq të martën, sot është mbajtur një ceremoni përkujtimore si dhe janë zhvilluar homazhe pranë arkivolit të saj në hollin e Kuvendit të Kosovës. 

Brovina ishte një nga figurat e njohura të rezistencës dhe jetës publike në Kosovë. Në vitin 1992, themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua për të drejtat e grave dhe fëmijëve, si dhe për ndihmë humanitare.

Gjatë luftës në Kosovë, ajo qëndroi në Prishtinë dhe vazhdoi veprimtarinë humanitare e mjekësore.
Më 20 prill 1999, u arrestua nga forcat serbe dhe u burgos në Serbi. Në dhjetor të vitit 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim, nën akuzat për veprimtari terroriste. Vendimi u anulua më pas nga Gjykata Supreme e Serbisë dhe rasti u kthye për rigjykim.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e konsideruan rastin e saj politik dhe kërkuan lirimin e saj. Pas rreth 19 muajsh burgim, u lirua në nëntor të vitit 2000.

Për veprimtarinë e saj, Brovina u nderua me çmime ndërkombëtare.

Brovina varroset sot në varrezat në “Arbëri” në Prishtinë.