Arbëri

Nderohen Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha

pajaziti

Foto: Driton Paçarada

Krerë shtetërorë e liderë të partive politike kanë bërë homazhe në 29-vjetorin e rënies heroike të Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sakrifica e tyre ka ndërtuar themelet e Kosovës.

“31 janari është një prej ditëve më me peshë në historinë e Republikës së Kosovës, është një prej ditëve më frymëzuese për rritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është po ashtu një prej ditëve më frymëzuese për gjithë popullin e Kosovës që luftoi për liri”, ka thënë ajo. 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se rënia e tyre i dha hov të jashtëzakonshëm vetëbesimit popullit, por edhe shtimit të radhëve të UÇK-së. 

“Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte një luftëtar i paepur tërë jetën dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në janarin e vitit 1997, u vranë nga pusia e forcave serbe për shkak se nuk ishte edhe e mundshme ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, sa që vetëm kurthi, pusia, prita, mund t’i jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin”, ka thënë ai. 

Ndërkaq nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se sakrifica e tyre solli lirinë e Kosovës.

“Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët, por edhe një nga organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një person me një virtyt të lartë, që besoi dhe punoi për çlirimin e Kosovës. Sakrifica e tij dhe e Hakif Zejnullahut, por edhe e Edmond Hoxhës do të mbeten gjithmonë në historinë tonë të lavdishme, por po ashtu edhe në themelet mbi të cilat qëndron sot Republika e Kosovës“, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas homazheve ka thënë se të tre janë heronj të Kosovës. 

“Më 31 janar të vitit 1997, kanë rënë në një pritë të Policisë serbe dëshmorët e parë të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullau. Zahir Pajaziti u lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ishte një ndër themeluesit e UÇK-së dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës”.