Arbëri

Rënia e Zahir Pajazitit, që i dha hov shtimit të radhëve të UÇK-së

Janë bërë 29 vjet, prej që Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha u vranë në një pritë të organizuar nga forcat serbe. Përfaqësues të shtetit dhe ata të partive politike vlerësuan lart kontributin e të tre heronjve dhe thanë se sakrifica e tyre është gurthemel i lirisë dhe pavarësisë së shtetit

Në 29 vjetorin e rënies, janë përkujtuar të shtunën Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Pas homazheve në nderim të veprës së tyre, liderë shtetërorë vlerësuan se sakrifica e heronjve është gurthemel i lirisë dhe pavarësisë së shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se me rënien e të tre heronjve, u dha kumti i lirisë u inspirua një popull të tërë që të luftojë për lirinë e mohuar me shekuj.

“Natyrisht që kjo sakrificë e tyre ka vënë themelet e forta të Republikës së Kosovës, themele këto në të cilat edhe sot qëndron shteti ynë sovran, i pavarur, i cili u ndërtua me gjak, i cili u ndërtua me mund dhe me shumë sakrificë e ndër to, ndër sakrificat më të rëndësishme që vërtet i dhanë peshë lirisë sonë dhe i japin dritë rrugës sonë përpara, ishte edhe sakrifica e Zahir Pajazitit me shokë”, ka thënë presidentja Osmani.

Zahir Pajaziti është prej të parëve të rreshtuar në UÇK. Më 31 janar të 1997-s, ai dhe Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha u vranë në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, në një pritë të organizuar nga forcat serbe.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vetëm kurthi, pusia e prita mund t’u jepte shans forcave serbe që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Por, theksoi se me rënien e tyre, rezistenca e armatosur mori hov.

“Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti”, ka thënë Kurti.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vlerësoi lart kontributin e të tre heronjve.

“Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët, por edhe një nga organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një person me një virtyt të lartë, që besoi dhe punoi për çlirimin e Kosovës. Sakrifica e tij dhe e Hakif Zejnullahut, por edhe e Edmond Hoxhës do të mbeten gjithmonë në historinë tonë të lavdishme, por po ashtu edhe në themelet mbi të cilat qëndron sot Republika e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Kontributi që të tre heronjtë kanë dhënë për rezistencën e armatosur dhe lirinë, është vlerësuar lart edhe nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

“Komandanti Zahir Pajaziti ishte mishërim i guximit dhe i vendosmërisë në një kohë kur liria dukej e largët dhe e pamundur. Rënia e tyre, ashtu si sakrifica e çdo dëshmori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përbën themelin e shtetit dhe mbetet kujtesë e përhershme e sakrificës shekullore të popullit tonë”, ka thënë Hamza.

Homazhe ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili gjatë luftës ka qenë komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit.

“Zahiri, Edmondi e Hakifi, me veprën e tyre ishin motiv për të gjithë ne në rrugën e mëtejme dhe vitet vendimtare drejt çlirimit. Idealit të tyre iu bashkuan djem e vajza nga më të mirët, në frontet anembanë vendit, deri në çlirimin përfundimtar. Lavdia e tyre do të jetojë përjetë e mot”, ka thënë Haradinaj.

Vepra e heronjve u vlerësua edhe nga shumë qytetarë.