Gazetari dhe publicisti Mentor Nazarko ka deklaruar se roli i Rusisë në procesin ndërkombëtar për Kosovën është keqkuptuar dhe shpesh i lexuar gabim në diskursin politik e analitik kosovar, duke theksuar se Moska, deri në një moment të caktuar, ka qenë pjesë e drejtpërdrejtë e parimeve që hapnin rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Nazarko u shpreh se Rusia e fundviteve ’90 dhe fillimviteve 2000 nuk ishte e njëjta Rusi e sotme dhe se ajo, për shkak të dobësisë së brendshme ekonomike dhe pozitës së saj ndërkombëtare, bashkëpunonte ngushtë me Perëndimin.
Sipas Nazarkos, Rusia jo vetëm që ka miratuar rezoluta që dënonin Jugosllavinë para nisjes së bombardimeve të NATO-s, por ka qenë pjesë aktive e Rambujesë, negociatave të Vjenës dhe komunikatës së Londrës, ku u përcaktuan parimet negociatore për Kosovën.
Ai theksoi se këto parime përfshinin mosndarjen e Kosovës, mosbashkimin me një shtet tjetër, moskthimin në gjendjen e mëparshme dhe respektimin e vullnetit të popullit të Kosovës – dokument i firmosur edhe nga diplomacia ruse.
Nazarko përmendi se Rusia, përmes figurave si Igor Ivanov dhe Viktor Çernomirdin, ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt edhe në procesin që çoi në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas tij, bombardimi i NATO-s mbi Jugosllavinë ndodhi me një “leje të heshtur” ruse, ndërsa prania ruse në misionet ndërkombëtare pas luftës ishte pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me Perëndimin.
“E vërteta historike është se Rusia ishte pjesë e procesit deri në momentin e fundit dhe vetëm më pas u tërhoq”, ka thënë Nazarko, duke shtuar se ky fakt nuk është analizuar mjaftueshëm dhe shpesh anashkalohet në debatin publik kosovar.
Ai vlerësoi se Kosova nuk e ka shfrytëzuar në favorin e saj këtë realitet historik, sidomos në planin diplomatik, duke mos e diferencuar mjaftueshëm rastin e saj nga precedentë të tjerë që Rusia i përdor sot, si Ukraina.
Nazarko theksoi se përdorimi nga presidenti rus Vladimir Putin i precedentit të bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi për të justifikuar agresionin në Ukrainë, tregon se rasti i Kosovës është keqinterpretuar edhe ndërkombëtarisht, pjesërisht për shkak të mungesës së një narrative të qartë nga vetë Prishtina.
“Rusia e asaj kohe nuk është Rusia e sotme. Dhe kjo është një e vërtetë historike që meriton të thuhet dhe të dokumentohet”, përfundoi Nazarko.