Gazetari Mentor Nazarko ka deklaruar se kontributi i ish-presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani, për Kosovën gjatë viteve të luftës dhe krizës së vitit 1999, vazhdon të mos jetë i qartë dhe i vlerësuar sa duhet, veçanërisht në opinionin publik kosovar.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, me publicistin Veton Surroi, Nazarko theksoi se nuk ishte Kushtetuta ajo që e bëri Meidanin një figurë të rëndësishme, por ishte personaliteti dhe qëndrueshmëria e tij që i dha peshë rolit të presidentit në një moment kritik historik.
Sipas Nazarkos, Meidani ishte një burrështetas i rrallë, me integritet moral, profil të lartë intelektual dhe përvojë ndërkombëtare, që e bënte të respektuar nga bashkëbiseduesit perëndimorë. Ai theksoi se Meidani e njihte mirë Kosovën, kishte qenë atje edhe para viteve ’90 dhe fliste gjithmonë me njohje të thellë të çështjes.
Nazarko, që ishte këshilltar asokohe i Meidanit, vlerësoi se gjatë vitit 1999, Shqipëria u shndërrua në një pikë kyçe për faktorin ndërkombëtar dhe se Meidani luajti rolin e lidhësit kryesor mes institucioneve shqiptare, aleatëve perëndimorë dhe strukturave që merreshin me Kosovën. Ai përmendi se Meidani ishte komunikues i drejtpërdrejtë me mediat më prestigjioze botërore dhe një figurë reference e qëndrueshme për Perëndimin në një kohë rreziku dhe pasigurie.
“Shqipëria ishte në syrin e ciklonit. Nuk dihej se çfarë skenarësh mund të ndodhnin. Në këtë situatë, Meidani ishte pika e stabilitetit”, u shpreh Nazarko, duke shtuar se ky rol shpesh është lënë në hije nga figura të tjera politike të asaj kohe.
Ai theksoi se, ndonëse kryeministri i atëhershëm Pandeli Majko ka mbetur në histori për deklaratën e famshme mbi hapjen e dyerve për refugjatët nga Kosova, edhe Meidani kishte kontakte të drejtpërdrejta me të ardhurit, kishte vizituar kampet dhe kishte pritur liderë të rëndësishëm botërorë.
“Në Kosovë shpesh mendohet se roli kryesor i takon Majkos, ndërsa ajo që ka bërë Meidani nuk është plotësisht e qartë. Kjo mbetet një nga keqardhjet e mia”, ka thënë Nazarko.