Arbëri

Surroi: UNMIK-u rrodhi si pasojë e dobësisë së brendshme politike në Kosovë

Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se prania e UNMIK-ut në Kosovë pas luftës nuk ishte rezultat i imponimit ndërkombëtar, por rrjedhojë direkte e pamundësisë së spektrit politik shqiptar për të krijuar një pushtet të përbashkët dhe funksional në momentin kyç të vitit 1999.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me gazetarin Mentor Nazarko, Surroi theksoi se administrimi ndërkombëtar erdhi në një situatë ku Kosova nuk kishte institucione shtetërore të konsoliduara dhe as një autoritet të unifikuar që do ta merrte përgjegjësinë për qeverisjen pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s.

Sipas Surroit, forca e UNMIK-ut nuk buronte nga fuqia e ndërkombëtarëve, por nga dobësia historike e forcave politike në Kosovë, të cilat nuk arritën të krijonin një “tendë të madhe” gjithëpërfshirëse, ku do të bashkoheshin të gjitha subjektet politike për të administruar vendin gjatë periudhës kalimtare.
Ai theksoi se shqiptarët kishin mundësi që, pas luftës, të formonin një qeveri të përbashkët, të pranuar nga i gjithë spektri politik, e cila do të bashkëpunonte me misionin ndërkombëtar dhe do ta mbante administrimin e vendit deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

“UNMIK-u erdhi sepse nuk kishte pushtet. Dhe fajin për këtë nuk e kanë të huajt, por vetë shqiptarët”, u shpreh Surroi, duke shtuar se mungesa e këtij konsensusi politik ka lënë pasoja që ndihen edhe sot.
Ai solli si shembull një skenar alternativ, ku pas përfundimit të luftës do të ishte formuar një qeveri e njohur nga të gjitha forcat politike, me institucione funksionale në çdo komunë, e cila do të kishte qenë partnere e barabartë e përfaqësuesit të OKB-së, Bernard Kouchner.

Surroi vlerësoi gjithashtu rolin e pranisë perëndimore në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë, duke veçuar kontributin e OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve të rregullta dhe funksionale, të cilat, sipas tij, kanë qenë më cilësore se në shumë vende të rajonit.

“Fakti që Kosova sot ka zgjedhje të rregullta është meritë e madhe e Perëndimit, i cili na ka trajnuar dhe ndihmuar në ndërtimin e këtyre proceseve”, përfundoi Surroi.


 

Lexo përditësimet tjera
Mentor Nazarko

Mentor Nazarko në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 35-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është publicisti dhe...