Deputeti i LDK-së Naser Rugova, ka mohuar se do të votojë për PAN-in.
Përmes një postimit të tij në profilin zyrtar në Facebook, ka thënë se ai dhe Teuta Rugova, si deputetë të LDK-së, janë të përkushtuar fuqishëm për LDK-në dhe se respektojnë në plotni vendimet e organeve legjitime të LDK-së.
“Sot paradite kishim një takim shumë konstruktiv të Grupit Parlamentar të sapo konfirmuar me kryetarin dhe kryesinë e partisë dhe kemi koncensus të plotë si grup parlamentar dhe si subjekt politik me përvojë që jemi se nuk ka koalicion me PDK-në, do i presim limitet kohore kushtetuese dhe pastaj do të merren vendime koncensuale nga organet kompetente të legjitimuara nga struktura e LDK-së”, ka thënë Rugova.
Portali Koha.net ka raportuar, duke u thirrur në burime të sigurta brenda PAN-it, se ata i kanë 62 vota. Në asnjë moment portali nuk ka thënë se për PAN-in do të votojnë Teuta e Naser Rugova, vetëm ka treguar se në bazë të lajmeve që po qarkullonin, emrat e këtyre dy deputetëve janë përmendur si potencialisht të mundshëm për të votuar për Ramush Haradinajn kryeministër.
Kujtojmë se krerë të PAN-it kanë deklaruar vazhdimisht se i kanë numrat dhe se po presin konstituimin e Kuvendit për të bërë Qeverinë.
Më poshtë lexoni të plotë e pa ndërhyrje reagimin e Naser Rugovës:
Të nderuar miq,
Struktura dhe anëtarsi e LDK-së,
Zonja dhe zotërinjë,
Pas konfirmimit zyrtar se unë Naser Ali Rugova dhe Teuta Ibrahim Rugova jemi zgjedhur deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, menjëherë paska filluar gjuetia e shtrigave dhe pazaret për ne, në emër tonin dhe rreth neve pa na pyetur fare.
Në portalin Koha.net mes tjerash thuhej se sipas disa burimeve Teuta dhe Naser Rugova do të votojnë PAN-in! Kur të përmendet emri i dikuj për arsye të ndryshme në media dhe opinionin publik është bonton gazetaresk që të pyetet personi i cili potencohet në shkrim. E di se mediat në Kosovë janë në gjendje jo të lakmueshme dhe duan të bëjnë lajme ekskluzive, por jo edhe të spekulohet dhe të abuzohet në mënyrë jo profesionale dhe jo etike me emra të deputetëve të zgjedhur. Duhet të egzistoj një minimum kodeksi etik dhe korrektësie.
Teuta dhe Naser Rugova janë deputet të LDK-së, janë të përkushtuar fuqishëm për LDK-në, respektojnë në plotni vendimet e organeve legjitime të LDK-së.
Sot paradite kishim një takim shumë konstruktiv të Grupit Parlamentar të sapo konfirmuar me kryetarin dhe kryesinë e partisë dhe kemi koncensus të plotë si grup parlamentar dhe si subjekt politik me përvojë që jemi se nuk ka koalicion me PDK-në, do i presim limitet kohore kushtetuese dhe pastaj do të merren vendime koncensuale nga organet kompetente të legjitimuara nga struktura e LDK-së.
Na vjen keq që spekulimet do ju biejn në ujë. Vazhdojmë bashkë të vendosur.
Me respekt,
Dr. Naser Rugova