Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nagavci: Në zgjedhjet e 2021-tës kërkuam votën edhe për presidente, më 2025 jo

Arbërie Nagavci

Foto: Driton Paçarada

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kujtuar se për dallim nga zgjedhjet e vitit 2021 kur LVV-ja kërkonte votë edhe për Vjosa Osmanin presidente, këtë nuk e ka bërë në zgjedhjet e fundit.

Në një deklaratë për “Ekonomia Online”, Nagavci ka thënë se partia ende nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë emër të caktuar. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, në dy ditët e fundit ka takuar kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit, që ka edhe 8 ditë afat për t’u zgjedhur. Nagavci ka thënë se aktualisht nuk ka një emër konkret për të cilin dihet se ka mbështetje të plotë, apo sigurimin e 80 votave të nevojshme për votimin e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Natyrisht kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në radhë të parë pra me kryetarët e partive, me deputetët, me grupet, në mënyrë që të sigurohemi që deri me datën 5, kur ne duhet të kemi të zgjedhur presidentin ose presidenten e vendit, të kemi së paku 80 deputetë të cilët do të qëndrojnë në sallë, e më e mira do të ishte që edhe të marrin pjesë në votim, e të përfundohet me votimin e kandidatit i cili do të ishte përfaqësues i të gjitha subjekteve që marrin pjesë në votim”, ka thënë ajo.

Ajo ka kujtuar se tani nevojitet diskutim dhe konsensus më i gjerë politik për ta përmbyllur procesin brenda tetë ditësh. Me këtë rast, ajo ka kujtuar se VV-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ka kërkuar votë për post të presidentit andaj. Nagavci ka thënë se deputetët duhet të shmangin edhe një palë zgjedhje.

“Tash përgjithësisht ju e dini që në zgjedhjet e vitit 2021, kur ne kemi garuar në atë kohë në aleancë domethënë bashkë me Partinë Guxo edhe me Alternativën, ne edhe gjatë gjithë fushatës zgjedhore e kemi përmendur që kandidojmë, gjegjësisht kërkojmë besimin e qytetarëve për kryetarin tonë të Lëvizjes, zotin Albin Kurti për kryeministër, ndërkohë që për zonjën Osmani për presidente. E kemi përmendur disa herë edhe gjatë fushatës dhe ky nuk është rasti tani në zgjedhjet e fundit të vitit 2025. Në zgjedhje kemi garuar me kërkesën e votës për kryeministrin Kurti dhe për Lëvizjen Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj për qeverisje. Që nënkupton që për zgjedhjen e presidentit, presidentes, duhet të ketë diskutime që besoj që do të jenë shumë më intensive në këto ditë të mbetura, që ta përmbyllim suksesshëm edhe zgjedhjen e presidentit, presidentes deri me 4 mars, siç janë afatet kushtetuese. Dhe konsideroj që është obligim i të gjithë neve, deputetëve, që të gjejmë një konsensus sepse tashmë kemi pasur shumë zgjedhje. Në vitin e kaluar kishim katër palë zgjedhje. Institucionet për një kohë të gjatë kanë vepruar, kanë punuar si institucione me qeverisje në detyrë dhe është tejet e rëndësishme që stabiliteti i cili u rikthye edhe me votimin e qeverisë edhe me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, së fundmi edhe me ligjin për buxhetin, të vazhdojë me punë me mandat të plotë në interes dhe shërbim të qytetarëve. E kjo është e mundur vetëm pasi të votohet edhe presidenti, presidentja”, ka thënë ajo.

E pyetur për emra të përfolur në publik, përfshirë edhe nga familja Jashari, Nagavci ka thënë se nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë kandidat specifik dhe se emri do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen diskutimet me deputetët e grupeve tjera parlamentare.

“Nuk ka një qëndrim zyrtar as të Lëvizjes e as të partnerëve tanë për një emër specifik. Në momentin që do të kemi një emër, në momentin që do të arrijmë t’i përmbyllim suksesshëm diskutimet edhe me deputetët e grupeve të tjera parlamentare, sigurisht se këtë do ta bëjmë të ditur edhe për ju”, ka thënë ajo.

Sa i përket mosftesës së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në raundin e parë të diskutimeve, Nagavci ka thënë se prioritet mbetet sigurimi i 80 votave të garantuara për të shmangur çdo befasi që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, duke shtuar se raportet e forcave në Kuvend kanë ndikuar në mënyrën e zhvillimit të konsultimeve.

Të dielën dhe të hënën, Kurti u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Kurti ka deklaruar se situata nuk është e lehtë, por se do të bëhen përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet e reja. Ai ka theksuar se as partia e tij dhe as dy partitë e tjera të mëdha nuk kanë kandidat zyrtar, duke shtuar se synimi duhet të jetë sigurimi jo vetëm i 80, por deri në 85 votave për të evituar dështimin e procesit në rast mungesash.

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është 4 marsi. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.