Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Do të përpiqemi t’i evitojmë zgjedhjet

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Marrëveshje politike mes dy partive politike apo konsensus më të gjerë, janë dy rrugët për të cilat LVV-ja është duke diskutuar me PDK-në e LDK-në, derisa afati për zgjedhjen e presidentit është duke iu afruar fundit. Të hënën, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka takuar atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e një ditë më herët edhe atë të PDK-së, Bedri Hamza

Nëntë ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, asnjëra prej partive politike nuk ka ndonjë kandidat për propozim ose për të mbështetur.

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës janë në fazën e përcaktimit të mënyrës se si do ta bëjnë zgjedhjen përmes një marrëveshjeje politike apo konsensusit ndërpartiak.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të hënën, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, takoi atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit, Kurti tha se me LDK-në synohet të hapet një kapitull i ri i marrëdhënieve. 

“Në vijim ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke përzgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti ose është tjera që subjektet politike merren vesh me njëra-tjetrën për rrugën përpara”, ka deklaruar Kurti. 

Lideri i LVV-së ka thënë se nuk janë mbledhur nënshkrime nga VV-ja për asnjë kandidat, meqë, sipas tij, nuk ka kuptim të mblidhen nënshkrime kur maksimalisht i kanë 66 vota nëse votojnë të gjithë, edhe deputetët nga radhët e komuniteteve.

“Shfaqet e nevojshme të kemi diku 83-84 deputetë apo 85, pasi vetëm një nëse mungon atëherë shkojmë automatikisht në zgjedhje. Përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë se s’duhet që edhe në vitin 2026 gjysmën e parë të na marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht të evitojmë zgjedhjet shkaku i moszgjedhjes së presidentit”, ka thënë Kurti.

Se kanë dy rrugë përpara e tha edhe kryetari i LDK-së, Abdixhiku: atë të konsensusit të gjerë apo të marrëveshjes mes dy partive për çështjen e presidentit. 

“Nuk përmendëm emrat, folëm për parime për shtylla potenciale për zgjidhje të çështjet jetike të zgjedhjes së presidentit  dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”, është shprehur Abdixhiku. 

Kurti e Abdixhiku thanë se përveç për çështjen e presidentit, në takim kanë diskutuar edhe tema të tjera, si ato të sigurisë e të marrëdhënieve me aleatët.

Një ditë më parë, kryeministri Kurti takoi edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. 

Hamza deklaroi se PDK-së nuk do të jenë pengesë, por as nuk do të mbështesë “kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar”.

Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit duhet të zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Presidentja Vjosa Osmani, që ka shprehur interesimin edhe për një mandat në krye të shtetit, është zgjedhur më 4 prill të 2021-tës.