Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se kanë dyshime që të dhënat e regjistrimit të shqiptarëve në Serbi janë manipuluar.
Të hënën në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai ka theksuar se manipulimit që sipas tij, është shfaqur në të dhënat preliminare të regjistrimit të popullsisë, i ka paraprirë deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e bërë në tetor.
“Diku në tetor presidenti Vuçiq doli me një deklaratë që ishte mjaft domethënëse, sepse tha se ‘edhe pas këtij regjistrimi nuk do të kemi numrin e saktë të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, sepse shqiptarët po i regjistrojnë familjarët që nuk jetojnë në Serbi’”, ka theksuar ai, duke shtuar se me formularët lejohej të bëhej edhe regjistrimi i diasporës.
Për këtë ai ka thënë se kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare kujdes gjatë përpunimit të të dhënave.
Mustafi ka përmendur edhe një deklaratë të dejtorit të Entit të Statistikave në Serbi. “Drejtori i entit të statistikave në Serbi doli me një deklaratë, ku bëri një vlerësim se në Serbi duhet të jenë 61-62 mijë shqiptarë. Kjo deklaratë dhe të dhënat preliminare janë në kundërshtim me të dhënat që në si Këshill kemi marr nga komisionet lokale regjistruese”, ka deklaruar Mustafi.
Sipas tij të dhënat preliminare tregojnë që 22 për qind e të gjithë banorëve jorezident në Serbi, janë shqiptarë.
“Në tabelën e publikuar preliminare, thuhet se në Serbi janë të regjistruar 6 milionë e 869 mijë e 504, ndërkaq si banorë të regjistruar janë diku, 6 milionë e 690 mijë e 887 banorë. Kur e shohim diferencën, del që 178 mijë e 617 banorë do të duhej të konsiderohen si banorë jorezident, mes të cilëve 22 për qind janë shqiptarë. Kur marrim numrin e banorëve të përgjithshëm të Luginës, sheh që nga 123 mijë 852 banorë, sa janë regjistruar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, diku 84 mijë e 169 konsiderohen që janë totali i numrit të banorëve për këto komuna, por edhe këtu del diku që 39 mijë, afër 40 mijë mund të jenë jorezident”, është shprehur Mustafi.
Ai ka thënë se qysh në fillim kanë ngritur dyshime për manipulime dhe se duke i marrë parasysh të dhënat preliminare, duke marrë parasysh të dhënat që kanë për çdo fshat, sipas databazës së tyre, konsiderojnë drejtpërdrejtë që është manipuluar me numrin.
“Si është e mundur, sipas numrit të tyre që shqiptarët mund të jenë rreth 1 për qind numrit të përgjithshëm të banorëve, ndërsa të përbëjnë 22 për qind të numrit të banorëve jorezident. Si ka mundësi që një komunitet i tillë me qenë drejtpërdrejtë i atakuar. Këtu ngrihen shumë pikëpyetje sa i përket profesionalizmit”, ka theksuar Mustafi.