Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa: Kur bashkohet VV dhe Veseli s’pritet zhvillim, por veç dosje e akuza

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se PDK dhe VV ishin bashkuar në vitin 2013 për të rrëzuar atë nga pozita e të parit në Prishtinë. Një bashkim i dy partive, sipas Mustafës, nuk sjell zhvillim në shtet, por veç dosje dhe akuza si rasti i 70 dosjeve ndaj tij.

Mustafa në Facebook ka shkruar se dy partitë kishin bërë koalicion të fshehur për t’ia siguruar fitoren Shpend Ahmetit në zgjedhjet lokale të asaj kohe.

Ish-kryeministri i vendit ka thënë po ashtu se “VV ua ngjet mikrofonat dhe kamerat e fshehta aktivistëve të vet për të inskenuar afera”.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk e fitoi Prishtinën në vitin 2013. Ia fitoi PDK-ja. Ishin këto dy parti dhe patericat e PDK-së, që i kapi tmerri i fitores së LDK-së në shumë komuna në vitin 2013, krijuan koalicion të fshehur u mobilizuan dhe arritën të përmbysin diferencën prej rreth 9000 votave, që unë si kandidat për të parin e Prishtinës kisha para Shpend Ahmetit dhe para të gjithë kandidatëve tjerë. Po të mos ishte përkrahja dhe koalicioni PDK-VV, sot Vetëvendosjen do ta mbulonte pluhuri në ndonjë sirtar të lëvizjeve politike. Kadri Veseli e pranoi në një intervistë se ai kishte bashkëpunuar ngushte me Shpend Ahmetin për një vit pas zgjedhjeve lokale. Kjo përputhet me përgatitjen e 70 dosjeve, sepse kur bashkohet VV që ua ngjet mikrofonat dhe kamerat e fshehta aktivistëve të tyre për të inskenuar afera dhe shefi i SHIK-ut, s’pritet zhvillim as prosperitet veç dosje dhe akuza”, ka shkruar Mustafa në Facebook.