Arbëri

Mustafa: Askujt nuk do t’i mbyllet dera për kryetar të LDK-së

Foto: Ilustrim

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se askujt nuk do t’i mbyllet dera për të kandiduar për kryetar të LDK-së.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Mustafa ka thënë se do ta japin përgjegjësinë për këdo që e konsideron vetën të gatshëm të sfidohet me këtë post derisa është shprehur se LDK është unike dhe do ta ruajë kursin e vet.

“LDK-ja është unike dhe do të ruajë kursin e vet, ambicie mund të ketë secili, mirëpo kryetari do të zgjidhet në bazë të statutit dhe do të ketë garë”, tha ai.

Mustafa bëri të ditur se tashmë veçse ka filluar procesi i zgjedhjeve në degë dhe nëndegë.

Mes tjerash ai tha se objektiv i tyre është që të forcohet LDK-ja përmes unitetit në parti.

“Do të mundohemi të përqendrohemi në çështje që e prekin çdo qytetar të Kosovës, me zhvillimin ekonomik dhe të papunësisë, luftimin kundër korrupsionit dhe angazhimin drejt BE-së dhe NATO”, tha Mustafa.

Ndërsa, i pari i LDK-së, foli dhe për dialogun me Serbinë, ku tha se dialogu është në ‘qorrsokak’ dhe më së miri është të shkohet në zgjedhje në mënyrë që të fitohet legjitimiteti dhe se partia e tij nuk pajtohet me korrigjim të kufijve, apo rihapje të sovranitetit të Kosovës.

Për takimin e Lutfi Hazirit me Sami Lushtakun, Mustafa tha se ajo foto sipas tij nuk është aktuale dhe për arsye se kryetari i Gjilanit nuk është në Kosovë nuk ka mundur të jetë në takim.