Pak ditë nga mbajtja e Kuvendit zgjedhor, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë filluar të shfaqen pakënaqësitë.
Më 14 mars, kjo parti do ta zgjedhë udhëheqjen e re, pas dorëheqjes së kryetarit Isa Mustafa.
E, pikërisht pozita e të parit të LDK-së ka nxitur reagime, ndonëse ende nuk është bërë zyrtare ndonjë kandidaturë.
Feim Brava, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka ngritur dyshime se në LDK janë duke u bërë marrëveshje paraprake për kryetarin e ri.
“Unë mendoj që njerëzit që e kanë sjellë LDK-në në këtë pikë nuk duhet të kenë kurrfarë roli në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri. Si rezultat i lojërave të këtyre njerëzve, LDK-ja ka ardhë në këtë derexhe. Ne nuk duhet të lejojmë që kryetari të zgjidhet me marrëveshje në tavolina dhe nuk do të lejojmë që kryetar të zgjidhet dikush që përfaqëson vetëm interesa grupesh e klanesh të ngushta”, ka thënë ai.
Kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa, është akuzuar se është duke synuar të zgjedhë një kryetar klanesh e jo kryetarin e partisë.
Anëtari tjetër i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova, përmes një statusi në Facebook, një ditë më parë, ka shkruar “kryetari i partisë, apo një kryetar klanesh? Nga ajo që po shoh, kam frikë që Isa Mustafa me shokë po e synon këtë të dytin”.
Akuzave ndaj tij u është përgjigjur kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa.
Ai, në një përgjigje për KOHËN, anëtarët të cilët janë duke bërë premtime të tilla i ka quajtur njerëz të papërgjegjshëm dhe të cilët janë duke dëmtuar procesin e zgjedhor.
“Gabim e kanë këta që po flasin kot dhe pa asnjë argument. Po tregohen të papërgjegjshëm dhe po e dëmtojnë procesin. Procesi për kryetar të LDK-së është i hapur për çdonjërin. Unë nuk involvohem se kush do të bëhet kryetar. Por, më vjen keq që po lexoj dhe po dëgjoj lloj-lloj budallallëku nga njerëz të papërgjegjshëm”, ka thënë Mustafa.
Përkundër se kanë mbetur rreth 10 ditë deri në mbajtjen e Kuvendit zgjedhor, zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur ndonjë kandidaturë.
Përveç Anton Qunit, i cili publikisht ka bërë të ditur synimin e tij për të parin e LDK-së, për këtë post janë duke u përfolur edhe Lutfi Haziri e Kujtim Shala.