Arbëri

LDK-ja pret ta zgjedhë kryetarin e ri, shkel “me leje” masat anti-COVID

Me kryetar të ri pritet të bëhet Lidhja Demokratike e Kosovës, të dielën. Prej orës 10:00, kjo parti do të mbajë Kuvendin Zgjedhor. Deri të shtunën, një ditë para Kuvendit, janë zyrtarizuar kandidaturat e katër kandidatëve. Postin e kreut të LDK-së e synojnë Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa.

Me gjithë masat në fuqi për mbrojtje nga koronavirusi, në bazë të të cilave nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 30 personave në ambiente të mbyllura, LDK-ja në një sallë mbledhjesh, në një nga hotelet në Kosovë, do të mbledhë të gjithë delegatët e saj. Kjo parti ka gjithsej 335 të tillë.

Mirëpo nga LDK-ja janë arsyetuar se për një gjë të tillë kanë marrë leje nga Instituti i Kosovës për Shëndetin Publik. Të shtunën, në një konferencë për media, sekretari i kësaj partie ka thënë se tubimi në këtë masë ka qenë shqetësim i tyre gjatë përgatitjeve për këtë kuvend.

“Një shqetësim i yni i madh që ka qenë ditëve të fundit janë çështjet që lidhen me pandeminë. Ne jemi pajisur me leje nga Instituti duke përfshirë edhe disa kushte që ne duhet t’i zbatojmë, sikurse dezinfektimi i sallës, distanca, maskat e kështu me radhë”, ka thënë Abrashi.

Më tutje, ai ka shtuar se shkaku i mungesës së hapësirës nuk do të ftojnë mysafirë të tjerë, siç kanë bërë në kuvendet e tjera zgjedhore.

Sekretari i LDK-së nuk ka përjashtuar që të dielën, gjatë punimeve të Kuvendit, të shpallen edhe kandidatura të tjera.

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar kandidati për kryetar të LDK-së, Besian Mustafa. Ka thënë se me përfundimin e punimeve të Kuvendit, nga kundërkandidatë që do të jenë në mëngjes, do të kthehen në bashkëpartiakë e kolegë të rreshtuar krah kryetarit të zgjedhur.

“Ashtu siç pritej, në media u fol shumë, u munduan të na bëjnë pjesë të grupeve e skemave imagjinare. Por, ne ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë të bashkuar rreth LDK-së! Heshtja që po mbizotëron ende brenda LDK-së duhet thyer shpejt, shumë shpejt. Ua kemi borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë brezave të saj”, ka shkruar Mustafa.

Kuvendi zgjedhor i LDK-së mbahet rreth një muaj nga dorëheqja e Isa Mustafës, si përgjigje e tij ndaj rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet e 14 shkurtit. LDK-ja në këto zgjedhje mori rreth 13 për qind të votave.