Arbëri

LDK-ja në mes të zgjedhjes së kryetarit të ri apo rreshtimit krah Abdixhikut

Dy ditë para mbajtjes së Kuvendit të LDK-së, ish-kryetari i saj, Isa Mustafa, ka pasur një mesazh për anëtarët e saj. Mustafa, përmes rrjeteve sociale ka thënë se LDK-ja nuk ka nevojë për një arenë të përçarjeve e se përgjegjësia në LDK duhet të trajtohet si standard i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dy ditë para mbajtjes së Kuvendit të kësaj partie, ka thënë se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike e jo testimi e licencimi.

Mustafa në një postim në Facebook ka thënë se Kuvendi rrezikon të jetë një arenë e përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së e që, sipas tij, ende nuk është shëruar nga një i tillë i mbajtur 20 vjet më parë.

“Reformat në LDK i bëjnë njerëzit të cilët i kanë qëndruar besnik LDK-së, të hapur për ardhjet dhe ardhje të reja dhe njerëz të rinj. LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues. Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë”, ka thënë Mustafa.

Të shtunën, Kuvendi i Lidhjes Demokratike e Kosovës do të mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nga të cilat është tkurrur për pesë deputet në legjislaturën e dhjetë.

Në këtë mbledhje pritet të vendoset nëse kryetar i LDK-së do të vazhdojë të jetë Lumir Abdixhiku apo jo. Edhe pse kandidaturën për kryetar tashmë e ka shpallur Avdullah Hoti, anëtarë të kryesisë thonë se nuk do të ketë zgjedhje në këtë Kuvend.

“Kuvendi është kuvend  pune, nuk është Kuvend zgjedhor. Ne kemi shkuar me votëbesim për kryetarin Abdixhiku. Nëse kryetari Abdixhiku e merr besimin atëherë nuk ka vend për zgjedhje të reja. Kjo është ajo pjesa se çka realisht ish dashtë me ndodhë”, ka thënë për KOHËN, Visar Azemi.

E ish-kryetari Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk meriton epitafe dhe se ata që e duan duhet të kenë besim se LDK-ja mund të ringrihet si subjekt i fortë politik.

“Duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm; se përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK-ja nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë. Kuvendi si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të duhej të siguronte se LDK nuk është parti as e vjetër as e re, por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vjet më parë me aktin themelues të saj si parti konservatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik. LDK ka nevojë të rikonfirmojë se beteja e saj politike nuk është ankand se kush jep më shumë, por ofertë se si ndërtohet një shtet perspektiv, i fortë dhe i qëndrueshëm. Se LDK nuk mund të përdoret si platformë mbi të cilën do të ndërtohet diçka tjetër duke e shfrytëzuar emrin e saj”, ka shkruar ai.

Një ditë më parë Armend Agolli, ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, deklaroi se është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvendin e së shtunës.

Por Gëzim Plakolli, kryetar i degës së Mitrovicës, pjesë e së cilës ka qenë Agolli, tha për KOHËN se ai nuk ka qenë pjesë e partisë, pasi ka zgjedhur të aderojë në një parti tjetër.

“Dega e LDK-së askënd nuk e ka përjashtuar nga partia, sepse nuk ma lejon as statuti me përjashtu askënd. Dy persona, dy delegatë që kanë qenë në Kuvendin e fundit... njëra e ka pushu aktivitetin politik, tjetri ka aderuar në parti tjetër politike. Z. Agolli që ka reaguar nuk e di me çfarë tendence ka reaguar, por as z. Agolli, as ata dy delegatët e tjerë nuk i kemi përjashtuar. Vetë thjeshtë e kanë pushuar aktivitetin e tyre me LDK-në”, ka thënë ai.

Agolli, para zgjedhjeve të 9 shkurtit, është rreshtuar krah koalicionit “Lista për Familjen” të iniciuar nga ish-deputetëve të VV-së, Eman Rrahmani e Visar Korenica. Në lidhje me zhvillimet, përgjigje nuk kanë dhënë nga Selia Qendror e LDK-së, por KOHA ka mësuar që Agolli nuk ka qenë i ftuar në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm që nga fillimi i vitit të shkuar.

Plakolli e Azemi, njëri kryetar i degës në Mitrovicë e tjetri i degës në Ferizaj, kanë thënë se janë duke i bërë përgatitjet e fundit për Kuvendin e LDK-së që do të mbahet të shtunën, më 31 janar.

“I kam ftuar edhe delegatët të cilët janë në Kuvendin në Prishtinë. Kemi diskutuar çështjen e kuvendit, edhe pozicionin tonë si degë. Deri tash nuk ka ndonjë ndryshim qysh ka qenë, përkrahja për z. Abdixhiku”, ka thënë Azemi.

E Plakolli nuk e sheh si diçka të jashtëzakonshme mbledhjen e së shtunës.

“Jemi takuar gjatë javës, e kemi mbajt mbledhjen kryesisë. Jemi dakorduar. Secili, ka me votu qysh don, nuk iu kemi përzier me ndihmu në vota. Thjesht një proces i thjeshtë për LDK-në edhe besoj që kemi me dalë faqebardhë”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025 ka marrë 126 mijë e 133 vota, të cilat ia siguruan 15 ulëse në Kuvend apo pesë deputetë më pak se që pati në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.

Pas kësaj, kryetari Abdixhiku ka njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe më pas do të jenë kuvendarët që do të vendosin nëse do ta pranojnë këtë apo jo.