Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mushkolaj: Akt i rrezikshëm i policisë, konfiskimi i celularit pa urdhër nuk lejohet as ndaj kriminelëve

Foto: Koha

Gjylieta Mushkolaj‎, profesoreshë në Juridik dhe ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese ka reaguar pas marrjes së gazetares Saranda Ramaj nga Policia e Kosovës, derisa po raportonte nga Gjykata për rastin “Syri i Popullit”.

Ka thënë se nëse me të vërtetë i është marrë Ramajt telefoni pa vërtetim, ashtu siç tha më herët edhe avokati Koci, atëherë të gjithë duhet të jenë të shqetësuar.

“Nëse është e vërtetë se pa urdhër, policia ia ka marrë telefonin personal gazetares Saranda Ramaj, të gjithë duhet të jemi të shqetësuar. Në këtë shekull të telefonave të mençur, përmes celularit të saj, pushteti mund të monitorojë secilin prej nesh, të ndërhyjë në jetën e secilit prej nesh, të monitorojë kontaktet që mund t’i ketë pasur ajo edhe me shërbyesit civil, mjekët e infermierët, njerëzit e biznesit e me aktivistë politik e aktivistët e shoqërisë civile! Ky akt i rrezikshëm i policisë, është shkelje e vrazhdë e lirisë së secilit prej nesh në Kosovën që të gjithë po mundohemi ta bëjmë vend të lirë”, ka thënë Mushkolaj.

Ajo ka shtuar se “Është tmerrësisht dëshpëruese që një veprim i tillë primitiv është ndërmarrë ndaj një gazetareje, kur në botën e lirë, konfiskimi i celularit pa urdhër nuk lejohet as ndaj kriminelëve të rrezikshëm”.

“Me rastin e marrjes së Vendimit më të rëndësishëm të Gjykatës Supreme të SHBA-së të këtij viti që po e lëmë (Carpenter v United States), e që konsiderohet madje edhe si vendimi më i rëndësishëm i këtij shekulli, gjatë seancës, gjyqtarja Sotomayor kishte bërë kthesë duke thënë: "Një celular mund të bjerë në dhomën tuaj të gjumit, në zyrën e mjekut tuaj. Ai mund të bie dhe të zbulojë detajet më intime të jetës suaj’”, ka shkruar ajo.

Edhe AGK dënon veprimin e policisë ndaj gazetares Ramaj, kërkon që rasti të ndiqet nga Drejtësia Arbëri AGK dënon veprimin e policisë ndaj gazetares Ramaj, kërkon që rasti të ndiqet nga Drejtësia

Tutje, ka thënë se nuk ka ngjarje më shqetësuese në këto momente për ne se një ndërhyrje e këtillë në jetën dhe punën e një njeriu.

“Duke qenë gazetare, përmes Sarandës edhe liria e secilit prej nesh sot në Kosovë është dhunuar”, përfundon Mushkolaj.