Avokati Skender Musa ka thënë se Qeveria e ka politizuar edhe çështjen e të akuzuarve në Hagë.
Duke folur për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, e cila për shkak të buxhetit ka paralajmëruar largimin, ka thënë se Qeveria nuk mund të caktojë çmim fiks për avokatë që mbrojnë në raste të krimeve të luftës.
Ka thënë se shpenzimet në Hagë janë shumë të mëdha për shkak të lëndës së madhe.
Ai ka thënë se këto raste kërkojnë energji të jashtëzakonshme.
Musa ka shtuar se Ministria e Drejtësisë qëllimshëm hoqi nenin që parashihte buxhet shtesë për të akuzuarit në Hagë.
“Ka qenë i paraparë neni që parasheh buxhetin shtesë dhe ministrja e ka heq pikërisht atë nen. Këtu qëndron dallaveri i Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë ai.
Musa ka thënë se e kanë politizuar çështjen e buxhetit të të akuzuarve në Hagë.
Sipas tij, pasojat janë katastrofale nëse tërhiqet mbrojtja.
Kur pritet të marrë epilog procesi kryesor gjyqësor në Hagë, është dhënë alarmi se, në mungesë të mjeteve financiare, nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi mund të largohet avokati kryesor. Mbështetje urgjente për mbrojtjen i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Por, zyrtarë të Ministrisë kanë theksuar se janë përmbushur obligimet kontraktuale dhe se deri tash janë paguar rreth 33 milionë euro.
Musa: Vendimi i Kushtetueses duhet ta kthjellë VV-në
Avokati Skender Musa ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme është i drejtë dhe i qëlluar në situatën që gjendet vendi.
Sipas tij me këtë vendim është mbrojtur rendi Kushtetues i Kosovës dhe diplomacia parlamentare.
Ka shtuar se dikujt i ka konvenuar zvarritja e formimit të institucioneve.
“Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim me vend dhe të pritur. Kjo masë nuk vendos presion, por ua ka bërë të qartë partive që nuk munden me vepru kundër rendit kushtetues”, ka thënë ai.
Sipas tij aktgjykimi do të sqarojë shumë situata.
Musa ka thënë se kjo ”masë duhet ta kthjellë partinë e parë politike”.
“Ka afat sepse nuk është ndonjë kompromis i madh kryetari i Kuvendit. Munden të bëhen koalicionet gjatë kësaj periudhe, edhe sot edhe nesër”, ka thënë ai.
Kushtetuesja sipas tij u ka treguar partive se po e rrezikoni rendin kushtetues.
Ka shtuar se secili lider politik do ta ketë parasysh se rrezikimi i rendit kushtetues është vepër penale.