Naim Murseli po ballafaqohet me mesazhet që i ka shkëmbyer me Granit Plavën një ditë para ngjarjes kritike. Murseli e konfirmoi se ka qenë numri i tij dhe tha se nuk i kujtohet nëse i ka dërguar mesazhe Granit Plavës.
Në telefon kanë qenë edhe tri thirrje të humbura nga Naim Murseli drejtuar Granit Plavës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProkurorja e pyeti pse ka qenë e rëndësishme që ta thërrasë Granit Plavën disa herë.
Murseli tha se këto mesazhe nuk i kujtohet në çfarë konteksti i ka dërguar dhe se atë ditë e ka takuar Granitin sepse Kushtrimi dhe Graniti një ditë më herët kishin pasur një problem në Gjakovë. Ai tha se e ka thirrur Granitin, por nuk i është përgjigjur, ndërsa Kushtrim Kokallës i është përgjigjur.
Murseli tutje tha se Kushtrim Kokalla i kishte thënë të takohej me Granit Plavën dhe më pas Kushtrimi do t’i bashkëngjitej. Ai shtoi se kjo ka qenë arsyeja pse disa herë e ka thirrur Granit Plavën.
Prokurorja e pyeti pse këtë rrethanë nuk e kanë përmendur ai, Plava dhe Kokalla në Prokurori dhe Polici, por Naim Murseli tha se, me sa e di, e ka përmendur këtë pjesë.
Murseli tha se deklarata në Polici është dhënë nën presion; fillimisht ka pasur dhunë dhe më pas presion. Ai tha se kjo ka ndodhur para se të vinte avokati dhe se për këtë çështje ka bërë kërkesë në IPK.
Prokurorja tha se kërkesa që ka bërë Murseli në IPK nuk është dorëzuar në Prokurori.
Prokurorja: A është e mundur që me njeriun me të cilin keni qëndruar tërë ditën, me të njëjtat rroba, të mos e njihni as në restorant?
Murseli: Përgjigjja ime është e njëjtë. Nuk mund të them që e kam parë, kur nuk e kam parë.
Prokurorja: A mund të na përshkruani se si ka ndodhur rasti?
Murseli: Fillimisht, siç e kam cekur edhe herën e kaluar, Liridona më tha të blej vezë. Ndala te marketi, u ktheva në veturë dhe vazhdova të vozisja. Papritmas doli një person i maskuar nga ferrat, në mes të rrugës. E kishte të maskuar vetëm kokën. Veshjen nuk ia kam njohur. Pastaj ai person ishte përballë në rrugë, duke na drejtuar armën. Arma ka qenë e drejtuar në mes dhe i ka ngritur duart; e kam ndalur makinën, njëjtë edhe Liridona. Ai erdhi te dritarja e Liridonës. Ia kam dhënë paratë, kam dalë nga vetura gjatë gjithë kohës me duar përpjetë. E kam hapur derën ku ishin fëmijët, kanë dalë edhe fëmijët. Telefonin e kam lënë sipër veturës, ku ai e ka marrë. Kjo ka ndodhur.
Prokurorja: Thatë që ka shkuar nga ana e Liridonës, a është logjike?
Murseli: Nuk e di, ju vlerësoni.
Prokurorja: A është logjike që dikush, kur do të plaçkisë, të mendojë se gruaja ka më shumë para se burri, apo ndoshta hajni e ka ditur që Liridona ka më shumë para?
Murseli: Jo, nuk e di, prokurore. Pyeteni ju atë se çfarë ka menduar në ato momente.
Prokurorja e ballafaqon me deklaratën e tij Naim Murselin
Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka nis ta marrë në pyetje të akuzuarin Naim Murseli.
Ajo e ka ballafaquar me deklaratën e tij të dhënë gjatë mbrojtjes.
Naim Murseli ka thënë se nuk i kujtohet që gjatë dhënies së mbrojtjes ka deklaruar se është shpifje pjesa e gjendjes financiare.
“Nuk kam thënë qe nuk kam borxhe, por jo. Për ato shuma që pretendon Prokuroria nuk ekzistojnë”, ka thënë ai, pasi Prokuroria pretendon se Murseli i ka borxh 500 mijë euro.
Murseli u shpreh se po akuzohet për vrasje e jo për krime ekonomike.
Prokurorja i tha Murselit për seancën e kaluar: “Për lëvizjet që keni pasur, ju keni deklaruar më 29.11.2023, kur janë incizuar incizimet në vende të ndryshme dhe janë paraqitur si prova materiale: ‘Në seancën e kaluar keni deklaruar se për herë të parë keni qenë së bashku me Granit Plaven. A mund të më tregoni pse ishte e rëndësishme të tregonit se atëherë keni qenë me Granit Plaven?’”
Murseli: “Sepse Granit Plava ka deklaruar që më njeh prej 6-7 vjetësh, dhe nuk është e vërtetë, dhe prandaj e kam cekur”.
Prokurorja: “Pse jeni takuar me Granit Plavën”?
Murseli: “Sepse Kushtrim Kokalla më tha ta takoj, dhe pastaj për ta pritur Kushtrimi më është bashkangjitur”.
Prokurorja: “Sa kohë jeni njohur me Granitin”?
Murseli: “1 muaj maksimum”.
Prokurorja: “Pse e keni pasur nevojë të dëgjoheni çdo ditë dhe të shiheni me të”?
Murseli: “Nuk është e vërtetë që kam qenë me të çdo ditë; unë e kam takuar vetëm kur kam qenë me Kushtrimin”.
Prokurorja: “Ekspertiza e telefonit të Plavës na ka verifikuar që ju 10 ditët e fundit para vrasjes së bashkëshortes tuaj keni komunikuar rregullisht me Granit Plaven. Konkretisht, një ditë para vrasjes, në orën 19:41, keni dërguar mesazh Granitin me përmbajtje: ‘Shok, me siguri nesër përfundon, a të ka thënë Kuça (Kushtrimi) që paradite?’ A ju kujtohet që e keni dërguar këtë porosi”?
Murseli: “Jo, nuk më kujtohet”.
Murseli kërkon të flasë me fëmijët në Suedi, i refuzohet komunikimi me Behgjet Pacollin
I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes, Naim Murseli, ka kërkuar nga Gjykata që t’i lejohet komunikimi me fëmijët e tij, të cilët ndodhen në Suedi.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, gjatë seancës të së mërkurës ku Murseli po vazhdon të japë mbrojtjen bëri të ditur se lidhur me këtë kërkesë janë duke u zhvilluar bisedime me autoritetet suedeze dhe se çështja është në shqyrtim.
Po ashtu, Murseli ka kërkuar të bisedojë edhe me biznesmenin Behgjet Pacolli, por kjo kërkesë nuk është aprovuar nga Gjykata. Murseli më herët ka qenë këshilltar i Pacollit.
Sipas njoftimit, atij i është refuzuar edhe kërkesa për komunikim me dhëndrin e tij.
Naim Murseli bashkë me Granit Plavën e Kushtrim Kokallën akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë. E Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “Vrasje e rëndë”.
I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.
Të gjitha lajmet nga Naim Murseli
Pacolli s’ishte në dijeni që Murseli kishte kërkuar të komunikonte me të
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka thënë se nuk është në dijeni që i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes, Naim Murseli kishte kërkuar të komunikonte me të. Ai thotë se në rast se drejtësia e kërkon, do të pranonte.
Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u bë e ditur se Murseli kishte kërkuar të kontaktonte me Pacollin, mirëpo kjo kërkesë i është refuzuar nga gjykata, me arsyetimin se është kategori e personave që nuk e lejon ligji.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, Pacolli u pyet nëse ka qenë i njoftuar për këtë kërkesë të Naim Murselit, por ai mohoi se është në dijeni për një kërkesë të tillë.
“Nuk di, nuk di fare, herën e parë po dëgjoj tash”, u shpreh Pacolli.
Ndërkaq, i pyetur se pse mendon se ka kërkuar Murseli një komunikim me të, ai u përgjigj sërish se nuk e di arsyen e kësaj kërkese.
“Nëse drejtësia më thërret, unë do të shkoja. Faleminderit për mirëkuptim”, ka thënë Pacolli.
Në pyetjen nëse Murseli ka ndonjë borxh tek ai, Pacolli tha se i kishte ndihmuar gjithmonë Murselit dhe se nuk kishte kërkuar t’ia kthente borxhin.
“I kam ndihmu gjithmonë atij. S’e kam kërku atë borxh mbrapa hiç. Po më duket ka mbet një borxh prej kur e ka ble një lokal përpara atje në Suedi. Sa unë e di komplet këto janë praktikisht gjëra që janë publike, të njohura”, u shpreh ai.
Në seancën e së mërkurës, vetë Murseli tha se ka ekzistuar një parakontratë borxhi mes tij dhe Pacollit, duke theksuar se borxhi është shlyer në mënyra tjera.
“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon afatin e shlyerjes së borxhit. Ka ekzistu por është shlyer në mënyra tjera”, deklaroi Murseli.
Pacolli përsëriti se nëse do të ftohej të takonte Murselin, do të pranonte nëse kjo gjë do të ishte në favor për diçka të mirë.
“Po nëse dikush më fton edhe nëse ajo ftesë shkon në favor të mirës diçka, nëse edhe koha më lejon do të shkoja pse jo”, deklaroi Pacolli.