Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Valon Murati, ka thënë se Gjykata Speciale nuk do të formohej gjatë administratës së Donald Trumpit.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se gjate administratës së Barack Obamës, për themelimin e Speciales ka pasur presion nga ish-sekretarja e shtetit, Hillary Clinton.
“Presioni ndaj nesh nuk ka qenë presion që u është bërë atyre që kanë qenë bartës të procesit. Nëse ne e vlerësojmë prej prizmit të sotëm këtë çështje, jam i sigurt se sot nuk do të ndodhte. As në administratën Trump 1 kjo nuk do të kishte ndodhur për shkak edhe të një logjike tjetër apo filozofi politike që e ka administrata e Trumpit atëherë dhe tash. Por, në administratën e Obamës kur ka filluar kjo dhe kur në proces ka qenë e përfshirë edhe ish-sekretarja e shtetit, Clinton, një mike e madhe e Kosovës dhe një presion i jashtëzakonshëm që është bërë edhe prej saj, sipas informatave që kam, kam përshtypjen që nuk ka qenë e lehte që të vendoset të refuzohet dhe të shkojë përmes Këshillit të Sigurimit”, ka thënë ai.
Sipas Muratit, qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kuti, është e ftohtë ndaj këtij procesi.
“Jemi në një kolaps absurd institucional dhe njeriu nuk e di se kujt t’i drejtohet dhe si t’u drejtohet institucioneve tona. Po besoj se Ministria e Drejtësisë mund të bënte më shumë në administrimin atje, sidomos në burg nëse ai është burg i Kosovës. Qeveria aktuale, sidomos z.Kurti është i ftohtë ndaj këtij procesi, nuk ka ndonjë emocion pozitiv qoftë për njerëzit që janë atje, gjithmonë thirret në këtë idenë se ju e keni votuar dhe unë kam qenë kundër”, ka theksuar ai.
Murati ka vlerësuar se ky proces është krejtësisht i pamonitoruar edhe nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, edhe nga organizatat vendore në nivelin që do të duhej të ishte i monitoruar.