Që nga viti 2023 lënda zgjedhore Edukimi për Siguri është pjesë e kurrikulës për shkolla të mesme, mirëpo mungesa e ekspertëve për ta ligjëruar këtë lëndë, ka bërë që ajo të mos mund të zgjidhet nga nxënësit. Në Fakultetin e Edukimit nuk ka programe të veçanta që profilizojnë mësimdhënës për këtë lëndë
Mungesa e ekspertëve për të ligjëruar lëndën zgjedhore Edukimi për Siguri ka bërë që ajo, edhe pse pjesë e kurrikulës për shkollat e mesme tash e tre vjet, të mos zhvillohet nëpër shkolla.
Drejtori i shkollës së mesme të lartë “Ahmet Gashi” në Prishtinë, Haxhi Metaj, ka thënë se ka pasur kërkesa nga nxënësit për këtë lëndë, por nuk ka mësimdhënës të trajnuar për ta ligjëruar atë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ministria e Arsimit vitin e kaluar ka planifikuar që në kuadër të lëndës zgjedhore me qenë edhe lënda për Siguri, por në fakt është një problem këtu, ata paraprakisht është dashur me trajnu mësimdhënës për fushën e sigurisë ose me gjetë mësimdhënës të fushës së sigurisë. Problemi është që nxënësit vitin e kaluar kanë pasur kërkesa për atë fushë, por në fakt nuk kemi pasur mësimdhënës që janë interesu për atë ose që ka qenë i trajnuar për fushën e sigurisë”, ka thënë Metaj.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në pyetjet pse nuk po ligjërohet kjo lëndë dhe nëse në kohën kur është përfshirë në kurrikulë është vlerësuar nëse ka kuadro profesionale për të, nuk ka kthyer përgjigje.
Në përgjigjen e vetme të MASHTI-t, i kërkohet KOHËS që t’i referohet udhëzimit administrativ.
“Ju informojmë se çdo lëndë me zgjedhje, përfshirë edhe lëndën Edukimi për siguri rregullohet sipas Udhëzimit Administrativ nr.11/2023 për Kurrikulën me Zgjedhje për Arsimin Parauniversitar. Andaj, ju lutemi që t‘i referoheni këtij akti ligjor, në mënyrë që të gjeni të gjitha informatat e nevojshme lidhur me lëndët me zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Sipas Udhëzimit Administrativ, kuadri për realizimin e kurrikulës me zgjedhje duhet të jetë mësimdhënës i kualifikuar dhe se shkollat kur kanë mungesa duhet t’i drejtohen Drejtorisë Komunale të Arsimit.
“DKA bën thirrje publike për mundësinë e angazhimit të mësimdhënësve; 3.3. Kandidatët që aplikojnë për kurrikulën me zgjedhje, të cilët i plotësojnë kriteret e kualifikimit, që janë të punësuar apo kanë kontratë në komunën përkatëse, përzgjidhen nga DKA dhe përfshihen në hartimin e programit të kurrikulës me zgjedhje; 3.4. Përzgjedhja e mësimdhënësit nga DKA bëhet duke u bazuar në cilësinë e programeve të dorëzuara”, thuhet në udhëzim administrativ.
Ministria e Mbrojtjes gjatë ditës së premte nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rolin e saj. E, gjatë intervistës së dhënë të enjten, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se synimi është që kjo lëndë, aktualisht zgjedhore, të bëhet obligative.
Ai gjithashtu ka folur për rëndësinë e saj.
“Aktualisht është lëndë zgjedhore Edukimi për Siguri dhe mundëson që të rinjtë tanë në shkolla të mësojnë elementet bazë të sigurisë duke përfshirë edhe ndihmën e parë, orientimin në natyrë, njohuritë për institucionet e sigurisë, njohuri për pajisjet dhe armët, por edhe shumë njohuri të tjera që lidhen me evakuimin në raste të fatkeqësive natyrore”, ka thënë ministri Maqedonci.
Në Fakultetin e Edukimit nuk ka programe të veçanta që profilizojnë mësimdhënës për këtë lëndë.
“Si aktivitete jashtë kurrikulës po, p.sh. i ftojmë KFOR-in kohë pas kohe, por lëndë të veçantë nuk kemi. Kemi edukimin shëndetësor ku brenda saj mësohen këto çështjet e shëndetit, mirëqenies, ndihmës së parë për mësuesit fillorë dhe klasorë”, ka thënë Blerim Saqipi, dekan në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
Përfshirja e lëndës zgjedhore Edukimi për Siguri është pjesë e Programit Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse, që pritet të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti.