Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mësimdhënësit dhe nxënësit refuzojnë lëndën e Edukimit Seksual

shkolla

Shkollat në Kosovë nuk e ofrojnë si lëndë të veçantë Edukimin Seksual, ndonëse nga 2023-a ndodhet mes lëndëve zgjedhore. Ka shkolla ku vetë mësimdhënësit refuzojnë për ta ligjëruar dhe se edhe nxënësit nuk duan ta përzgjedhin. E sociologët vlerësojnë se materia që ofron lënda e edukimit seksual ende perceptohet si tabu në Kosovë

Nxënësit në Kosovë mësojnë për Edukimin Seksual vetëm në kapituj të lëndës së biologjisë. Ministria e Arsimit e ka listuar si lëndë zgjedhore që nga 2023-a, por ajo nuk aplikohet në shkolla. Kjo është arsyetuar me mungesë interesimi si nga nxënësit, ashtu edhe nga mësimdhënësit.

Haxhi Metaj është drejtori i gjimnazit shoqëror “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Ai konfirmon se Edukimi Seksual nuk ka qenë pjesë e planprogrameve mësimore të kësaj shkolle.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Asnjëherë nuk kemi pasur kërkesa për një lëndë të tillë për shkak se ndoshta ende gjendja në Kosovë është e tillë dhe janë pak ma shumë të konservuar dhe nuk kemi pasur rast që kanë kërkuar. Nuk ka pasur interesim prej nxënësve”, ka thënë Metaj.

E, në shkollën fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë kanë treguar se nuk ka pasur mësimdhënës të interesuar për ta ligjëruar lëndën.

“Nuk e kanë zgjedhur mësimdhënësit, nuk e ka zgjedh askush, nuk e di nëse është edhe në plan program të Ministrisë. Kemi pasur aktivitete e trajnime për edukimin seksual por jo nuk kemi pasur lënde zgjedhore. Nuk ka pasur mësimdhënës që kanë qenë të interesuar me dhënë këtë lëndë e tek nxënësit nuk kemi provuar”, është përgjigjja e kësaj shkolle.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se përgjegjësia për përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore u takon vetë shkollave dhe komunitetit arsimor.

“Përtej kësaj, më e rëndësishmja kush janë kapaciteti i mësimdhënësve për t’u rekrutuar pastaj nga Komuna për ta ofruar atë lëndë zgjedhore. Derisa është i tillë, atëherë as nuk mund të paragjykojmë e as gjykojmë ndonjë shkollë pse bën përzgjedhjen e një lënde zgjedhore karshi tjetrës. Ajo çka ne do të dëshironim padyshim është ky procesi i përzgjedhjes së lëndëve zgjedhore të këtë një strukturë më të mirë të definuar nga një këndvështrim i politikave”, ka thënë Qehaja.

E, sociologu Genc Xërxa ka vlerësuar se edukimi seksual vazhdon të shihet si temë tabu në shoqëri, dhe me këtë e lidh edhe refuzimin për ta ligjëruar.

“Në shumicën e rasteve paragjykohen apo stigmatizohen. Ka shumë pak informacione vetëdijesuese, emancipuese apo edhe në lidhje me tema, me kurrikula të ndryshme. Në disa raste kemi pasur edhe broshura nga vetë Ministria e Arsimit që janë keqkuptuar, janë keqinterpretuar e kanë krijuar bujë mediatike. Mendoj që temat e edukatës seksuale, pavarësisht lëndës zgjedhore, duhet të inkorporohen në Edukatën Qytetare dhe të jenë të përgatitura mirë me qëllim që të mbrohet shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve”, ka thënë Qehaja.

Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë treguar se pse kjo lëndë nuk aplikohet në shkolla.