Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca plenare.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që është mbajtur të hënën, Muja ka thënë se një seancë do të mbahet me kërkesë të opozitës, ndërsa tjetra do të jetë e rregullt, ku pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
“Të enjten do të jenë dy seanca. Një seancë me kërkesë të opozitës dhe një seancë e rregullt ku do të hidhen në votim marrëveshje ndërkombëtare. Ju e dini që kemi pas vështirësi që këto marrëveshje të votohen. Sot ne na u tha zyrtarisht nga PDK-ja që arsyeja se këto marrëveshje nuk i votojnë janë sanksionet ndërkombëtare. Kishe diskutim intensiv, por fer. Ne si deputetë me vullnetin politik kemi përgjegjësi. Opozita nuk ka shenja që ka heqë dorë nga pozicionimi që ka pasur. Këto e vështirësojnë mbarëvajtjen e punës së Kuvendit”, ka thënë ai.
Ai më tej ka folur për dakordimet në Bratislavë midis zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, për çka ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha përkushtimet.
“Ne si shumicë parlamentare e kemi bindjen që Qeveria i ka përmbush të gjitha përkushtimet e Bratislavës. E fundit që mund të moralizoj për këto çështje është Lista Serbe. Sa i përket Listës Serbe ka disa çështje për t’u sqaruar”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për qëndrimi e Listës Serbe, ai ka thënë se kjo parti është në funksion të një strategjie që përdor Serbia.
“Ne si shoqëri duhet ta kërkojmë përgjegjësinë prej të gjithëve”, është shprehur ai.