Debat për bashkëpunimin parlamentar është zhvilluar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Me gjithë diskutimin e bërë, dy partitë opozitare nuk janë tërhequr nga pozicionimi i tyre për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Nga pushteti thanë se me gjithë përpjekjet që kanë bërë për përafrim nga opozita i është dhënë një arsye tjetër e mosvotimit të tyre.
Partitë parlamentare, në pushtet e opozitë, nuk janë tërhequr nga pozicionet e tyre lidhur me ndasitë që kanë.
Një pjesë e opozitës vazhdon të mos ndryshojë qëndrimin lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare, derisa pushteti insiston në votimin e tyre e nuk merr pjesë në konstituim të komisionit hetimor.
Dallimet mes tyre u bënë debat në Kryesi të Kuvendit. Ato nuk u ndryshuan por, siç thanë nga të dy taborët, u qartësuan qëndrimet e secilës.
Në Vetëvendosje thanë se tash zyrtarisht e kanë kuptuar arsyen e mospërkrahjes së ujdive ndërkombëtare nga PDK-ja e që lidhet me sanksionimin e Kosovës nga BE-ja.
Sipas partisë në pushtet, nga opozita vazhdimisht i është dhënë arsye tjetër.
“Mendoj që është e padrejtë ndaj qytetarëve sikurse ishin edhe sanksionet edhe logjika e sanksionimit të Kosovës për sundimin e ligjit në veri ka qenë gabim…Është për keqardhje që një subjekt politik ka marrë pozicion të tillë por gjithsesi e sinqertë që ta kuptojmë pas 6-7 muajsh sinqerisht se pse ato nuk po votohen”, tha deputeti i VV-së, Armend Muja.
Nga PDK-ja thanë se sanksionimi bën që paratë nga marrëveshjet ndërkombëtare të mos vijnë në Kosovë.
“Problemi me marrëveshje ndërkombëtare është se nuk ka të bëjë me atë se a votohen a nuk votohen. Problemi është se Kosova është në sanksione dhe meqë Kosova është në sanksione ato të holla nuk vijnë fare në Kosovë”, tha deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ndryshim të qëndrimit drejt miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, sipas AAK-së, do të ketë kur Qeveria të lëvizë karshi kërkesave të tyre.
“Ne nuk kemi kushte por vetëm kërkesa që janë legjitime. Kërkesa e parë është reflektimi te koeficienti, kërkesa e dytë ka qenë për pagën minimale në sektorin privat dhe e treta me skemat sociale dhe pensionale”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Për dallim nga marrëveshjet ndërkombëtare, të një fjale me pushtetin, opozitarët janë lidhur me kërkesën për sanksionim të Serbisë lidhur me sulmin e 24 shtatorit.
“Për me vendosë sanksione në raport me Serbisë mbas 24 shtatorit partnerët tanë kanë argumente të bollshme dhe të fuqishme dhe nuk ka nevojë për kurrfarë hetimi”, tha Hoxhaj.
“Kosova është në një bllokadë. BE-ja vazhdon me sanksionet e veta. Mendoj që BE duhet të veprojë po ashtu me sanksione për Serbisë. T’i vendosë sanksione për sulmin terrorist që e sponsorizoi më 24 shtator”, tha Tahiri.
Javë më parë shkaku i mospërkrahjes së deputetëve për marrëveshjet ndërkombëtare, Ekzekutivi nuk u përgjigj në pyetjet parlamentare të bëra nga ta.
Marrëveshjet ndërkombëtare të pamiratuara deri më tani, në vlerë prej 300 milionë eurosh, janë në rend dite të njërës seancë, nga dy sa pritet të mbahen këtë javë.