Ministria e Shëndetësisë në arsyetimin e masave anti-COVID të propozuara Qeverisë ka bërë të ditur se nga 147 mostra pozitive me SARS CoV-2 për detektimin të varianteve britanik B.1.1.7 dhe atij të Afrikës së Jugut B.1.351, 97.27% e tyre kanë rezultuar pozitive me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut.
Sipas arsyetimit, situata faktike në bazë të analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të datës 03 prill 2021, tregon se në dy javët e fundit (19.03.2021 deri 01.04.2021) janë raportuar 11.577 raste pozitive, 150 raste fatale, ndërsa shkalla e fatilitetit të rastit (CFR) është 1.29%.
“Nga data 08.02.2020 deri më 01.04.2021, janë testuar gjithsej 434.893 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej 92.198 raste ose 21.2% e mostrave të testuara janë pozitive. Deri më 01.04.2021, 76.402 raste ose 82.86% e të infektuarve janë shëruar, ndërsa aktualisht janë 13.902 raste aktive (15.1%). Duke e përcjellë numrin e rasteve të detektuara dhe konfirmuara, sipas ditëve shihet ecuri e trendit në rritje (16.7%) të rasteve aktive, kurse 13.902 rastet aktuale aktive krahasuar me numrin e rasteve aktive para masave të nëntorit– gjithsej 13.784 me kulmin më 2 dhjetor 2020, që paraqet rritje për 0.8%”, thuhet në arsyetim.
Ministria e Shëndetësisë thotë se në një situatë të tillë të gjendjes emergjente të shëndetit publik, është e nevojshme që të kufizohet liria së lëvizjes, liria e tubimit, e të drejtës së privatësisë, dhe lirisë së dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit.
Ndërkohë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë rastet e varianteve të reja të koronavirusit, ato që kanë rënduar më shumë gjendjen me pandeminë.
“Ajo që ka rënduar më shumë gjendjen pandemike në vend janë shfaqjet e varianteve e reja, sidomos ai britanik. Nga 147 mostra mbi 97% kanë rezultuar pozitive, që shpjegon rritjen e rasteve. Varianti britanik është shumëfish më i rrezikshëm, është më agresiv, lehtë shpërndahet dhe prek moshat e reja”, ka thënë Vitia në konferencën për media të hënën në lidhje me masat e reja që janë paralajmëruar.