4 perditesime
16:38

Qeveria pranon se fushata ndikoi në rritjen e rasteve me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se fushata zgjedhore ka ndikuar në rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Vitia i ka dhënë të drejtë qytetarëve, por ka theksuar se duhet kuptuar që jeta dinamike shpeshherë ndikohet edhe nga faktorë të paparashikuar.

“Një pjesë tjetër e qytetarëve më të drejtë kanë fajësuar fushatën elektorale për rritjen e rasteve të infektimit. Edhe kjo është e vërtetë. Çfarëdo tubimi masiv është super shpërndarës. Por duhet kuptuar se jeta dinamike shpeshherë ndikohet edhe nga faktorë të paparashikuar”, ka thënë ai.

16:24

Kurti flet për vaksinat, “faj” kanë edhe Rusia e Kina

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se situata me furnizim me vaksina në Kosovë është delikate. Këtë e ka lidhur edhe me shtetet si Rusia e Kina, që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, e të cilat janë prodhuese të mëdha të vaksinave anti-COVID.

Kurti nuk ka përmendur emrat Kinë e Rusi, por u është referuar si “fuqi të mëdha”.

“Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skeptizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka thënë Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Deri më tash, në Kosovë kanë ardhur vetëm 24 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca, si pjesë e programit COVAX.

15:50

Qeveria miraton masat e reja anti-COVID

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID.

Me të njëjtat masa është vendosur kufizim i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit.

Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Sipas njoftimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.

“Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.

14:00

Këto janë masat e reja anti-COVID që pritet të merren nga Qeveria

Qeveria e Kosovës sot pritet t’i ndërmerr masat e reja anti-COVID. KOHA ka mësuar se në mesin e tyre është ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në rasteve urgjente.

Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Sipas njoftimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.

“Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.

Ndërkaq bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:

-Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;

-Gjatë vrapit dhe çiklimit;

-Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

Ndër masat është edhe pezullimi i konvikteve dhe menzave të cilat pezullojnë aktivitetin e tyre nga 6 deri më 18 prill 2021.

Qeveria ka konfirmuar masat e reja anti-COVID.

13:11

Qeveria sot mblidhet për masat e reja anti-COVID

Qeveria e Kosovës sot do mbajë mbledhje në orën 15:00. KOHA ka mësuar se temë e rendit të ditës do jenë masat e reja anti-COVID.

Ditë më parë janë paralajmëruar se do hyjnë në fuqi masa të reja, të cilat do prekin gastronominë dhe bizneset.

Në anën tjetër, Shoqata e Gastronomëve do mblidhet në 14:00 për t'i diskutuar masat anti-COVID. Afrim Muçiçi nga Oda e Hotelerisë ka kërkuar që të lejohet organizimi i dasmave.

“Dihet që prej sallave të dasmave ne mbajmë familje, kurse partitë politike i shfrytëzuan ato për fushata, u rrit numri i të infektuarve kështu që duan tashmë ta mbyllin vendin. Jemi një zëri të bashkuar, ne jemi pro hapjes për të gjitha kategoritë. Ne nuk kemi qëndruar duarkryq gjatë kësaj kohe, i kemi shkuar rrugës institucionale, nuk kemi dalë në rrugë të përballemi me dhunë”, ka thënë ai.

Kundër masave të reja janë shprehur edhe disa përfaqësues komunash. Ata thonë se vendosja e masave do e dëmtonte më shumë ekonominë.