Arbëri

Parashkrimi ia kthen Ministrisë së Shëndetësisë ish të akuzuarit për korrupsion

Ministria e Shëndetësisë është një prej institucioneve që vazhdimisht ka prodhuar skandale. Si pasojë, një pjesë e zyrtarëve të saj janë vënë nën hetime dhe janë akuzuar për korrupsion. Pjesa më e madhe e tyre edhe ishin suspenduar nga puna. Por, zvarritjet në gjykata kanë bërë që lëndët e tyre të parashkruhen ose të vdesin juridikisht. Kjo ua ka mundësuar këtyre zyrtarëve rikthimin në punë

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, ndër vite, shpesh nga objekti u nxorën me pranga në duar nën dyshimet për korrupsion.

Në dekadën e fundit, shkaku i akuzave për korrupsion, nga puna u pezulluan 13 zyrtarë, pa i përfshirë këtu dy sekretarë e një ish-ministër.

Një pjesë tashmë e ka fituar betejën me drejtësinë, jo për shkak se u shpallën të pafajshëm, por meqë drejtësia dështoi t’u japë përgjigje brenda afatit të caktuar.

Pasi lëndët janë parashkruar në gjykata, shumë departamente të Shëndetësisë kanë mbetur në duart e këtyre personave.

Në fundin e dhjetorit të shkuar gjykata i refuzoi akuzat për katër ish-zyrtarë të MSH-së.

Ata hetoheshin qysh prej 2012-s e më pas u ngarkuan me vepra penale që lidhen me korrupsionin. Dhjetë vjet më pas arsyetimi për lirimin e tyre është vjetërsimi i lëndës.

Menjëherë pas këtij vendimi, zyrtarët filluan të rikthehen në punë me arsyetimin se tanimë janë plotësisht të pafajshëm.

Hajrullah Fejza, që është përballur me akuza për korrupsion mbi një dekadë, është kthyer në pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Cilësi të Shërbimeve Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë. Kërkesën e ka parashtruar në fillim të këtij viti.

“Ju informoj se pas 10 vjetësh përballjeje me drejtësinë, me vendimin e datës 28.12.2021, përfundimisht jam liruar nga të gjitha akuzat që janë ngritur kundër meje. Andaj, meqë nuk jam gjetur fajtor për asnjë nga pikat e akuzës, kërkoj nga ju që ta mundësoni kthimin tim në vendin e punës, në pozitën e cekur më lart”, pati thënë ai në kërkesë.

Kjo kërkesë iu miratua. KOHA ka mësuar që ky ish-zyrtar tashmë është kthyer si drejtor i një prej departamenteve në Ministrinë e Shëndetësisë.

Dy vjet më herët në krye të Departamentit të Farmacisë po ashtu ishte kthyer Bekim Fusha, një zyrtar të cilit i ishte parashkruar akuza për korrupsion.

E, këtë vit në Ministrinë e Shëndetësisë është kthyer edhe Arbenita Pajaziti. Edhe Pajaziti në të kaluarën është liruar nga disa pika të aktakuzës për shkak të parashkrimit.

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë që tashmë 9 zyrtarë, që kanë qenë të akuzuar, janë kthyer në punë.

“Nëntë (9) nëpunës pas dëshmive që janë liruar nga aktakuza janë kthyer në vendin e punës me të drejta të plota dhe janë kompensuar financiarisht për kohën e pezullimit”, ka thënë MSH-ja.

Synime për t’u kthyer në pozitën e sekretarit ka edhe Ilir Tolaj, që ka qenë i akuzuar për korrupsion në disa procese e që për disa akuza është shpallur i pafajshëm e nga të tjerat është liruar për shkak të parashkrimit.

Rreth mundësisë së kthimit të tij në pozitën më të rëndësishme në administratën e MSH-së, sipas këtij institucioni, ende nuk është vendosur.

“Një (1) zyrtar (dr. Ilir Tolaj) ka parashtruar kërkesë për rikthim në vendin e punës pas përfundimit të procesit gjyqësor. Ministria e Shëndetësisë, bazuar në Ligjin për Zyrtarë Publikë, ka adresuar kërkesën në Departamentin e Menaxhimit të Zyrtarëve Publikë (DMZP) në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për marrje të rekomandimit/opinionit ligjor lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

KOHA ka provuar të kontaktojë të gjithë zyrtarët e përmendur ose avokatët e tyre, por ata ende nuk janë përgjigjur.

Nëpër procese gjyqësore po kalon edhe ish-ministri Ferid Agani e ish-sekretari Gani Shabani për aferën e njohur si “Stenta”. Për këtë rast ende nuk ka vendim gjyqësor.