Ramadan Morina, është deklaruar i pafajshëm, lidhur me akuzat për krime lufte. Sipas aktakuzës, i pandehuri Morina më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Morina akuzohet se kreu veprën penale “Krime Lufte kundër popullatës civile”.
Sipas Prokurorisë Speciale, Morina ngarkohet se gjatë periudhës 1998-99, në kohën e luftës në fshatin Burim të Malishevës, na bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime e keqtrajtime fizike”.
“Në fshatin Burim të Malishevës, konkretisht në vendin “Vrella e Mihilit”, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të gjithë të armatosur dhe të uniformuar, me tanke, autoblinde dhe forca këmbësori, rrethuan zonën ku ishin strehuar rreth 1 mijë civilë shqiptarë të dëbuar nga disa fshatra të Malishevës”, tha prokurori Ilir Morina.
Sipas aktakuzës, nga gratë dhe fëmijët i ndanë 35 burra civilë shqiptarë, duke i detyruar të rreshtohen, ndërsa të tjerët u detyruan që të largoheshin nën përcjelljen e kërcënimin e armëve, e më pas një pjesëtar i forcave policore serbe shtiu rafall me një pushkë duke vrarë 34 civilë.
“I pandehuri Ramadan Morina, me artileri të rëndë i bombardon fshatrat Dragobil, Astrazub, Shkozë, ndërsa më 31 mars 1999 të armatosur me armatim të rëndë, i ndajnë burrat nga gratë duke i detyruar gratë të shkojnë në fshatin Carravar dhe i vendosin në një shkollë”, tha Ilir Morina.
Për këto akuza, Ramadan Morina u deklarua i pafajshëm.
“Nuk e pranoj fajësinë, sepse prej ‘98-s deri ‘99 fare nuk kam qenë në Kosovë. Kam dëshmi”, tha i akuzuari Ramadan Morina.
Prokurori special tha se në aktakuzë kanë kërkuar që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit, pasi tha se përmbushen kushtet ligjore për vazhdimin e saj.
Këtë e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarit Morina, avokati Shpend Gashi i cili e zëvendësoi avokatin Arianit Koci, tha se qëndrojnë prapa parashtresës që i akuzuari të lirohet nga masa e paraburgimit.
“Kërkojmë që të lirohet nga masa e paraburgimit dhe t’i shqiptojë masë më të butë. I pandehuri im planifikon që pensionimin ta kalojë në Kosovë”, tha Gashi.
I akuzuari Ramadan Morina u arrestua në gusht të këtij viti në Prishtinë për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.