LAJMET E MBRËMJES

Masë paraburgimi Ramadan Morinës, që dyshohet për masakrën në Malishevë

Ramadan Morinës, i cili u arrestua dy ditë më parë, nën dyshimet për krime lufte në rajonin e Malishevës, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim. Prokuroria Speciale dyshon se ky qytetar me përkatësi shqiptare ka marrë pjesë në masakrën në fshatin Burim

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Ramadan Morinës, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën në Burim të Malishevës, si pjesëtar i forcave serbe.

Morina prej kohësh jeton në Serbi.

Burime të KOHËS thanë se ai i ka propozuar Gjykatës të lihet i lirë, duke lënë në dorëzani një banesë në Prishtinë.

Megjithatë, Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka konstatuar se çfarëdo mase tjetër do të ishte e pamjaftueshme për ta siguruar praninë e Morinës në procedurë penale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M. kishte qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës. Po ashtu, dyshohet se në të njëjtën datë, kishte marrë pjesë edhe në vrasjen e 34 viktimave të këtij fshati. Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake Vesel Ismaili, vlerësoi se nëse nuk vendoset në paraburgim i dyshuari për pjesëmarrje në masakër, ai do të mund të arratiset nga Kosova për në Serbi, ku jeton tash e mbi 20 vjet.

“Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke e pasur parasysh faktin se ai e ka shtetësinë e Serbisë, e ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i paarritshëm për fazat e tjera të procedurës penale, gjithashtu Gjykata konstaton se nëse i pandehuri lihet në liri, paraqet rrezik real se i njëjti mund t’i identifikojë dëshmitarët dhe të ushtrojë ndikim tek të njëjtit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Prokurori special Kastriot Memaj e as avokati i të pandehurit nuk kanë folur pas seancës për masën e sigurisë.

Në masakrën në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 forcat serbe fillimisht i ndanë burrat dhe gratë, pastaj burrat i keqtrajtuan dhe i masakruan.

Ndër të vrarët, më i riu ishte 14 vjeçari Valon Morina.

Krahas vrasjes së anëtarëve të familjes Morina, Paçarizi dhe Tredhaku në Burim, po atë ditë forcat serbe e kryen një nga masakrat më të mëdha në Kosovë – atë të Pastasellës, ku i vranë 109 civilë shqiptarë.