Themeluesja e Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion “Qika”, Leonida Molliqaj, ka thënë se politikat e Qeverisë Kurti për të ndarë mjete për lehonat në Kosovë, janë pengesë për gruan.
Molliqaj ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se në vend se të kishte politika që do ta nxjerrinin gruan jashtë shtëpisë dhe ta pavarësonin atë, janë propozuar politika të cilat ngujojnë gruan.
“Ne konsiderojmë që është pengesë, në vend se të kishim politika që do ta nxjerrnin gruan jashtë shtëpisë e do ta pavarësonin atë, duke i ditur sidomos shifrat e larta të dhunës ndaj grave, ne kemi propozuar politika të cilat po e ngujojnë gruan edhe më shumë brenda. Nuk jemi kundër ndihmës financiare për familjet e reja, nuk pajtohemi që t’i quajmë pagesa për lehona pasi me këtë vendim Qeveria e ka etabluar faktin që veç nëna është kujdestare i fëmijës dhe se pushimi i lindjes është pushim për gruan”, ka thënë Molliqaj.
Sipas saj, kjo është politike konservatore e djathtë, e cila siç ka thënë, është një hap prapa kërkesave të aktivisteve feministe në Kosovë.
“Historia tregon se kur është promovuar nataliteti, gruaja ka mbetur brenda llojit të vet riprodhues”, është shprehur ajo.
Në masën 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, shteti u ka ofruar mbështetje prej 170 eurosh në muaj për 6 muaj rresht lehonat që ishin të papuna në 12 muajt e fundit. Ndërsa ndihmë prej 170 eurosh për tre muaj do të ketë për lehonat që kanë qenë të punësuara në vitin e fundit.
Kriteret vlenin për të gjitha nënat që kanë lindur fëmijën pas 1 gushtit 2021.
Edhe
Në prag të zgjedhjeve Qeveria ndan nga 100 euro për disa kategori, rrit shtesat për lehonat
Ndërkohë dy ditë më parë, Ministria e Financave ka bërë të ditur se 2,158 lehona kanë përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.
Në vendimin e prezantuar në fillim të shtatorit, ishte paraparë edhe ndihma për fëmijët që kanë lindur në vitin 2020 apo 2021. Për fëmijët deri dy vjet shtesat do të jenë 20 euro në muaj, ndërsa ata nga dy deri 16 vjeç, nga 10 euro në muaj. Për këtë masë kanë mundur të aplikojnë të gjitha nënat që kanë lindur fëmijën në vitin 2020 apo 2021.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, zgjerimi do të bëhet për fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje. Grupmoshat e fëmijëve vazhdimisht do të zgjerohen si përfshirje e kësaj mase, ka premtuar Qeveria.
-
Shtesat për lehonat nuk dalin me rritjen e premtuar nga Qeveria
-
(Mos)suksesi i eksperimentit të Hungarisë për të rritur lindshmërinë
-
Gjini premton heqjen e tatimit në pagë për bizneset që ua mundësojnë grave të punojnë nga shtëpia
-
Demolli: Grave në Kosovë ende iu diktohet vota nga bashkëshorti, babai apo vëllai