Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

QIKA: Shtesat për lehonat nuk i fuqizojnë gratë, rrezik t’i ngujojnë më tutje në shtëpi

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka reaguar për mbështetjen financiare për lehonat.

Përmes një komunikate ka thënë se shtesat financiare që u prezantuan sot nga Qeverisë nuk e fuqizojnë gruan e as statusin e saj në shoqëri. Kjo, sipas qendrës, u duk më shumë si politikë që ndihmon familjet të rrisin fëmijët, se sa të aktivizojë gratë si forcë punëtore apo të përfshijë ato në jetën publike në përgjithësi.

“Fuqizimi i gruas ndodh përmes pavarësimit ekonomik nga burri. Kjo nënkupton shkollim dhe punësim. Vetëm 12 përqind e grave në Kosovë kanë vend pune, ndërsa mbi gjysma e grave të moshës së lindjes kanë më pak se 9 vite shkollimi të përfunduar, gjë që e bën punësimin e tyre të vështirë. Përtej kësaj, kjo politikë është edhe problematike si qasje. Lloji i tillë i ndihmesës financiare pa masa shtesë që ndihmojnë punësimin e gruas pas lindjes - janë politikë konservatore e djathtë që synon zgjerimin e familjeve duke stimuluar lindjen e fëmijëve”, thuhet në reagim.

Tendenca, siç e quan QIKA, për të mbështetur gratë vetëm përbrenda rolit të amësisë “ka rrezik të ngujoj ato edhe më tutje në shtëpi me përgjegjësitë mbi punët e papaguara”. Ajo ka ngritur nevojën për politika urgjente të punësimit që në plan afatgjatë pavarësojnë gratë ekonomikisht e “jo vetëm për ndihma çasti që shpesh mund të jenë kundërproduktive”.