Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i ka adresuar një letër të hapur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i kërkuar që të mos e votojnë Vjosa Osmanin për presidente.
Ai ka shkruar se ardhja e Osmanit në këtë post do të sjelltë pasoja mbi jetën demokratike në vend. Sipas tij, pas këtij momenti, opozitës parlamentare do t’i humbas rëndësia, kurse Kuvendi do t’i ngjajë kuvendeve moniste.
“Kosova për herë të parë pas luftës rrezikon që të gjitha instancat e pushtetit t’i përfundojnë në një adresë. Por ky ende nuk është problemi kryesor. Ky akumulim pushteti e ka mbrapa një ideologji që në fjalë dhe organizim është totalitar. LDK e ka në dorë ta ndalojë këtë gjë. Barra për formimin e institucioneve në secilën demokraci fillon prej fituesit, sidomos kur fituesi e ka shumicën i vetëm”, ka shkruar ai.
Molliqaj ka shkruar se Kosova si kurrë më parë ka nevojë për opozitë, por edhe ruajtje e balancim pushtetesh.
Ai ka thënë se “pushteti i parullës ‘Krejt dhe Drejt’ është arsye për shqetësim në dy rrafshe: rreziku për demokracinë që paraqet mungesa e balancave të pushtetit; kurse i dyti është diskursi totalitar, diskurs ky që të vërtetën e përjashton nga diskutimi, duke e ontologjizuar dhe lidhur me subjektin e premtuar të historisë”.
Sipas tij, problemi i parë lidhet me vendimet që do të merren në LDK, por që do ta ndikojnë mbarë vendin. Ai ka shtuar se partia tashmë e ka gjithë pushtetin, qeverisë me gjithçka me të cilën qeverisë e administron Kosova.
Edhe
Molliqaj: Osmani e çoi vendin në zgjedhje
“Dërgimi i institucionit të Presidentit në Parti, do ta përmbyllte jetësimin e nocionit Parti-Shtet. Në anën tjetër, problemi i dytë janë fjalët që kemi dëgjuar si arsyetim. Ato janë shprehje e pranimit të hegjemonisë së diskursit që ka imponuar pushteti ‘Krejt dhe Drejt’. Me një qëndrim që e bën të mundur Vjosa Osmanin të zgjidhet presidente, ju na thoni se akuzat e konspiracionet e 2 viteve të fundit ndaj jush paskan qenë të vërteta”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se faktet elektorale, jo rrallë janë dëshmuar si pikënisje të errëta për botën e shoqëritë. Por sipas tij, qëndrimet dalluese e këmbëngulja tek e vërteta nuk lejojnë që ato të përkthehen në totalizim të hapësirës publike, diskursive e politike.
“Ne jemi të bindur se opozita nuk është thjesht mungesë e pjesëmarrjes në qeverisje. Në situatën tonë, një opozitë kritike dhe aktive është kushti i demokracisë. Kusht i veçantë për të qenë kritik ndaj mendësisë totalitare është mospranimi i saj në parim. Në momentin që e njohim si thirrje legjitime e morale akuzën që vjen prej saj, do të përfundojmë të përmbytur në përpjekjet për shfajësim. Kjo kritikë, për të hapur horizontin e mbyllur, duhet të ketë linja të qarta demarkimi, por edhe kritikë, aksion, e jetë përtej dhe ndryshe nga ushtrimet e lojërave të pushtetit. Opozita nuk duhet të jetë ilustrim as provë për tezat, çështjet apo akuzat e pushtetit”, thuhet në njoftim.
-
Molliqaj: PDK-ja dhe LDK-ja s’do të ekzistojnë në formatin siç janë sot
-
Mulhaxha-Kollçaku: Abdixhiku po provokohet sikur po i nënshtrohet dikujt për çështjen e presidentit
-
Abdixhiku: S’bëjmë kompromise për emrin e presidentit me të cilin kërkuam mbështetje qytetare
-
Molliqaj: Kush do opozitë, duhet ta votojë PSD-në